Protestat studentore përpara Ministrisë së Arsimit tashmë kanë hyrë në ditën e gjashtë të tyre. Këshillat studentorë të fakulteteve i kanë dërguar një shkresë kryeministrit Rama, kryeparlamentarit Ruçi , ministres Nikolla dhe të gjithë universiteteve publike ku parashtrojnë dhe kërkojnë plotësimin e 8 kërkesave të tyre për të cilat shprehen se janë të panegocueshme.
“Ne do të vazhdojmë bojkotimin e mësimit dhe protestën deri sa këto kushte të plotësohen. Kushtet janë të panegociueshme”, thuhet në fund të kërkesës.
Pas këmbënguljes së masës studentore, kryeministri Rama ka postuar në profilin e tij në rrjetin social Facebook njoftimin ku paralajmëron që të hënën në orën 11:00 paradite do të jetë i gatshëm për dialog me studentët për kërkesat e tyre live në Facebook.