MENU
klinika

2.8% më shumë

Rriten çmimet e prodhimit

06.12.2018 - 09:04

Indeksi i çmimeve të prodhimit u rrit me 2.8% në tremujorin e tretë të këtij viti. Sipas Instat, çmimet e prodhimit kanë nisur të rriten me ritme më domethënëse, duke u përshpejtuar për të dytin tremujor radhazi. Megjithatë, kjo rritje erdhi kryesisht nga segmenti i industrisë nxjerrëse dhe i çmimeve të administruara, ndërsa sektori më i rëndësishëm, ai industrisë përpunuese, vazhdon ketë çmime prodhimi në rënie.

Sipas Instat, rritja e çmimeve të prodhimit në vend edhe për tremujorin e tretë u udhëhoq nga industria nxjerrëse, me 20.2%, ndërsa specifikisht për sektorin e nxjerrjes së naftës rritja ishte 33.8% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Edhe furnizimi me ujë regjistroi rritje me 2% të çmimeve krahasuar me tremujorin e tretë të vitit të kaluar. Për sa i takon industrisë përpunuese, sektorit që mban edhe më shumë peshë në prodhim, edhe për tremujorin e tretë të vitit çmimet e prodhimit pësuan rënie, me 1%. Kjo rënie mund jetë ndikuar në një masë të madhe nga rënia e kostove të lëndëve të para për shkak të mbiçmimit të ndjeshëm të lekut në kursin e këmbimit valutor.

Në segmentin që prek më shumë konsumatorët, atë të industrisë ushqimore, indeksi i çmimeve të prodhimit ishte sërish negativ me 2.9%, çka nënkupton çmime ende në rënie.

Që nga fundi i vitit 2016, indeksi i çmimeve të prodhimit është rikthyer në vlera pozitive, çka paralajmëron një rritje të ngadaltë të presioneve për inflacion më të lartë të çmimeve të konsumit.

Indeksi i çmimeve të prodhimit mat çmimet me të cilin ato hidhen në treg nga prodhuesit, ndaj jep një orientim për rritjen e çmimeve të konsumit në një të ardhme të afërt. Nëse prodhuesit rrisin çmimet, me shumë të ngjarë, kjo rritje përcillet edhe në çmimet me të cilët konsumatorët i blejnë mallrat me pakicë.

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Inflacioni po gjen stabilitet

Çmimet u rritën 2.2% për gushtin