MENU
klinika

INSTAT

Shpenzimet për arsimin/ Shqiptarëve iu rëndon më shumë shkollimi

05.12.2018 - 16:21

Vendimi i qeverisë që detyron studentët të paguajnë tarifë shtesë për provimet e mbartura është pritur me protesta nga studentët e Universiteteve publike. Por shkaqet e rikthimit të studentëve në rrugë mund të kenë arsye me të thella se kaq.

Të dhënat zyrtare nga Instituti i Statistikave tregojnë se në dy vitet e fundit, barra e shpenzimeve që arsimi ngarkon në buxhetin e familjeve shqiptare është rënduar me dy herë. Sipas INSTAT, nëse në vitin 2015, shpenzimet për arsim merrnin mesatarisht 2.1 për qind të buxhetit familjar, vitin e kaluar pesha e buxhetit që familjet shpenzojnë për shkollimin e fëmijëve kërceu në 3.9 për qind.

Kjo e bën Shqipërinë një nga vendet, ku familjet sakrifikojnë më shumë financiarisht për të shkolluar fëmijët e tyre. Në bashkimin europian, shpenzimet për arsim zënë vetëm 1.1 për qind të buxhetit familjar, pra gati 4 herë më pak se sa ajo që shpenzojnë familjet shqiptare.

Por pse arsimi është kaq i shtrenjtë për familjet në Shqipëri? Shkaku kryesor duket I lidhur me shpenzimet publike? Prej vitesh, buxheti që qeveria shqiptare shpenzon për arsimin ka ngrirë rreth 3 për qind e prodhimit kombëtar. Në bashkimin europian shifra mesatare e shpenzimeve publike për arsimin është sa 4.9 për qind e prodhimit kombëtar, ndërsa në vende të caktuara ajo arrin edhe në 7 për qind.

Meqenëse qeveria shqiptare jep më pak për arsimin nga buxheti i shtetit, kjo I detyron familjet që ta përballojnë nga xhepi i tyre koston. Prej vitesh, thuajse të gjitha qeveritë në Shqipëri kanë premtuar rritjen e buxhetit për arsimin, por të gjitha kanë dështuar duke lënë pas të njëtën situatë, arsim të financuarin dhe me cilësi të dobët, një cikël negativ që duket se ushqen veten.