Tenistja amerikane Serena Williams ka mbetur e kënaqur nga paraqitja e saj në vitin 2018, ku rikthehej pas më shumë se një viti pushim, për shkak të shtatëzanisë.
Ajo arriti të shkojë në finalet e dy turneve të mëdhenj, Wimbledon dhe US Open, por u mund në të dyja rastet nga Kerber dhe Osaka. “Sinqerisht që nuk e prisja të luaja kaq mirë dhe të shkoja në finalet e dy grand slam”, – tha Serena Williams, fituese e 23 grand slam në karrierën e saj.
“Pantera e zezë” do ta nisë sezonin e ri nga turneu i Hopman Cup, në Perth të Australisë. “Jam stërvitur mirë, kam gjetur ritmin e dikurshëm dhe kjo më mbush me optimizëm për të ardhmen. Objektivi im nis me Australian Open, të fitoj aty, ku ende nuk e kam mbrojtur titullin e fituar në vitin 2017.
Më pas…dua t’i fitoj sërish të katërt grand slam. Besimi nuk më mungon dhe paraqitja e këtij viti më ka mbushur me optimizëm. Mund të duket e çmendur për një 36-vjeçare por unë kështu mendoj gjithnjë kur nis një sezon i ri”, – u shpreh Serena Williams.