Shoqëria shqiptare paramoderne ishte mjaft e ndjeshme ndaj statusit të vejushave, sidomos kur ato ishin të reja, në moshën për të lindur fëmijë.
Si rregull, e veja e shprehte simbolikisht statusin e saj të ardhshëm nëpërmjet vajtimit ose mosvajtimit mbi trupin e pajetë të bashkëshortit të ndjerë. Në rrethana të tilla vajtimi i vejushës ishte përgjithësisht shumë i shkurtër në krahasim me vajtimin e vajzave apo grave të afërta të bashkëshortit të saj të ndjerë.
Vajtimi i bashkëshortes ishte aq i shkurtër saqë ngjante me një akt teatror që synonte vetëm të përcillte mesazhin se ajo nuk do të rimartohej, por do të qendronte në shtëpi të ish-bashkëshortit, për të rritur fëmijët ose thjesht për të nderuar të afërmit e tij.
Nëse e veja nuk lotonte, pra nuk vajtonte mbi trupin e pajetë të bashkëshortit të saj të ndjerë, ajo përcillte mesazhin se do të martohej përsëri. Pothuajse në çdo rast, e veja përcillte simbolikisht një mesazh të tillë pasi këshillohej paraprakisht me të afërmit e saj dhe pasi kishte marrë një farë miratimi nga të afërmit e bashkëshortit të ndjerë.
Në këto rrethana vajtimi ose jo i të vejës mbi trupin e pajetë të bashkëshortit shprehte simbolikisht në mënyrë të prerë statusin e ardhshëm të saj; e ve në familjen e ish-bashkëshortit ose e martuar me një burrë tjetër.
Në paragrafin 780 te Kanuni i Skanderbegut thuhet: “Ka rasa që gruaja vajton burrin e vet, por kurdoherë fare shkurt e kjanë burrin gruaja që rrin me fmi” dhe i ka në moshë të vogël prush për tokë, ashtu edhe e shtymja në mot, kur ska djalë në votër. Vejusha që mendon ose do të dalë me u martue, njeti kurrë se kjan burrin e vdekun”.
Me lotët pranë bashkëshortit të ndjerë, e veja i sprapste kërkesat për rimartesë dhe shmangte qejfmbetjet që mund të shëndrroheshin në konflikte. Në ditët tona, lotët e gruas së ve mbi trupin e pajetë të bashkëshotit të saj nuk shprehin më simbolikisht mesazhe që kanë të bëjnë me statusin e saj të ardhshëm, por thjesht hidhërimin për humbjen e bashkëshortit.
Duke vajtuar publikisht mbi trupin e pajetë të tij, e veja nuk privohet nga e drejta për t’u rimartuar. Madje, në kundërshtim me traditën, opinionet mbizotëruese të shoqërisë shqiptare të ditëve tona, mungesën e lotëve të gruas e konsiderojnë si shprehje të “natyrës së vrazhdë”, “të mungesës së dhembshurisë”, si tregues të lidhjeve të saj ilegale me ndonjë mashkull tjetër”, si “mungesë respekti për jetën e mëparshme bashkëshortore” deri edhe si “dëshirë e pakët për t’u përfshirë në një jetë bashkëshortore të re” etj.
Por, nga ana tjetër, edhe lotimi i tepruar i bashkëshortes interpretohet si shprehje e hipokrizisë, si përpjekje për të justifikuar përfitimet e shumëllojshme, sidomos ato ekonomike që ka pasur nga bashkëshorti i ndjerë.
Zyhdi Dervishi “Lente të ndërveprimit simbolik”