MENU
klinika

Traditë shekullore

Si të dalloni një turk, vetëm nga stili i mustaqeve!

13.12.2018 - 21:38

Që nga koha kur Perandoria Osmane ka qenë një fuqi e madhe luftarake, ndër burrat turq përgjithësisht u konsolidua tradita për të mbajtur mustaqe.

Dalja e mustaqeve simbolikisht tregonte se i riu e kishte lënë pas djalërinë dhe ishte i gatshëm të merrte pjesë në luftë. Kësisoj, mustaqet shërbenin si simbol i burrërimit. 

Studiuesit dhe gazetarët turq, në bashkëpunim edhe me sociologë shqiptar, kanë krijuar një tablo të mesazheve më të nuancuara që përcjellin forma të ndryshme të mbajtjes së mustaqeve nga burrat turq të ditëve tona. Që nga koha kur Turqia drejtohej prej Mustafa Qemal Ataturkut, deri në ditët tona, herë pas here janë gjallëruar mendësitë dhe praktikat shekullarizuese.

Në vitet e baticës së mendësive të kësaj natyre, shtohej numri i burrave që mbanin mustaqe në formë të papërcaktuar, ose më saktësisht, si të lëna pa përkujdesjen e nevojshme. Mustaqe të tilla, të shoqëruara me pakëz mjekër, identifikonin simbolikisht besimtarët islamikë praktikantë më të zellshëm.

Në ditët tona, prania e mustaqeve në fytyrat e burrave turq identifikon simbolikisht profilin e veçantë të angazhimit të tyre profesional. Janë shumë të paktë specialistët me arsim të lartë të punësuar në sektorin publik që mbajnë mustaqe. Shumica dërrmuese e mustaqellinjve të mirëarsimuar janë të angazhuar me punë në sektorin privat si biznesmenë, avokatë, noterë, mjekë në klinika ose spitale private etj.

Sidomos gjatë 3-4 dhjetvjeçarëve të fundit në Turqi, forma e mustaqeve në mjaft raste dëshmon simbolikisht orientimet politike kryesore. Për shembull, mustaqet e mbushura, të gjata aq sa të mbulojnë buzën e sipërme identifikojnë simbolikisht komunistët. Në mjaft raste mustaqe të tilla shoqërohen me flokë të gjatë dhe identifikojnë simbolikisht studentët komunistë.

Ndërkohë, mustaqet më të holla, më elegante, që nuk mbulojnë buzët e sipërme, por varen pak poshtë në dy cepat e buzëve, identifikojnë simbolikisht nacionalistët turq. 

Gjithashtu nacionalistët turq në mitingje dhe në protesta publike ngrenë dorën e djathtë përpjetë duke i kompozuar gishtat në atë formë që u ngjason më shumë kokës së ujkut, që është emblema e kësaj force politike : gishtin e madh e bashkojnë me dy gishtat e mesit ndërkohë që gishtin tregues dhe gishtin e vogël e ngrenë përpjetë.

Ky simbol i ka rrënjët thellë në histori. Që në shekullin XIII të Erës së Re, turqit osmanë mbanin flamurin me kokën e ujkut të murrmë. Sikurse në shumë vende të tjera, edhe në Turqi, forcat politike të orientimit nacionalist janë më të prirura t’i përmbahen simboleve më tradicionale. 

Mustaqet që nuk ngjasojnë me mustaqet e komunistëve dhe të nacionalistëve, por janë si të thuash, më pranë një forme më të natyrshme, tregojnë simbolikisht politikanët e orientimit të majtë dhe pasuesit e tyre.

Ndërsa përgjithësisht, mustaqet e prera shkurt, identifikojnë mendimtarët, intelektualët besimtarë, që ushtrojnë ritualet fetare praktikisht jo vetëm në mjediset e shtëpisë, por edhe në institucione publike të besimit përkatës.

Zyhdi Dervishi ‘’Lente të ndërveprimit simbolik’’