Në ditën e shtatë të protestës së tyre, studentët e të gjitha Universiteteve publike janë mbledhur për të protestuar para Ministrisë së Arsimit, ndërsa për pak minuta skadon edhe afati që ata i kanë lënë kryeministrit Edi Rama.
Studentët kanë marshuar fillimisht në Bulevard dhe nga të gjitha fakultetet në Tiranë dhe më pas janë mbledhur tek ministria.
Studentët e Politeknikut, Arteve dhe Gjeologji Minierave u mblodhën tek Korpusi dhe më pas kanë parakaluar në Bulevard para kryeministrisë ku ka pasur ovacione dhe thirrje për kryeministrin Edi Rama.
Ata e kanë nisur me këndimin e Himnit Kombëtar dhe më pas me parulla për plotësimin e kërkesave të tyre, kryesisht uljen e tarifave.
Studentët e gjeologji minierave janë me kaska të verdha, ndërsa studentët e arteve kanë marrë veglat muzikore.
Ndërkohë ka nisur marshimi nga të gjitha fakultetet, drejt rrugëve që të shpien për në Ministrinë e Arsimit, atje ku është protestuar prej një jave.
Ora 16:00 e ditës së sotme është afati i fundit që studentët i kanë lënë qeverisë për të plotësuar 8 kërkesat e tyre. Në skadim të këtij afati, kanë paralajmëruar përshkallëzim, deri në grevë urie.