Video telefonatat në grup do të jenë edhe më të lehta për tu realizuar me versionin e fundit të WhatsApp.
Më përpara përdoruesit mund të fillonin një bisedë 1:1 dhe më pas të shtonin bashkëbisedues të tjerë dhe mungonte një opsion për të nisur një bisedë në grup.
Tashmë përdoruesit mund të nisin biseda të tilla. Mjafton të shkoni tek grupi me të cilët dëshironi të nisni bisedën dhe të klikonin ikonën e telefonatës në cepin e djathtë lart të aplikacionit.
Më pas do të shfaqet një ndërfaqe ku mund të zgjidhni ata që dëshironi të nisni bisedën dhe më pas të klikoni ikonën në formë kamere.
Gjithashtu një tjetër mënyrë për të nisur një bisedë me video në grup është duke klikuar ikonën “Call” dhe më pas të përzgjidhni anëtarët dhe së fundi klikoni ikonën e video ose audio thirrjes.
Aktualisht është e mundur të bisedosh me katër persona njëherazi, shumë më pak sesa Apple FaceTime ku mund të bisedojnë 32 persona me video apo Messenger me 50, raporton PCW.
WhatsApp thotë se të gjithë anëtarët e bisedës duhet të kenë internet cilësor për të realizuar thirrjen. Përditësimi është i disponueshëm në iPhone dhe së shpejti edhe në Android.