MENU
klinika

Nga New York Times

Trump dhe politikat e tij, kërcënim për Izraelin…

29.12.2018 - 09:51

Presidenti amerikan Donald Trump, ka marrë një tjetër vendim të papritur, ka ulur papritmas sigurinë e Izraelit pas një thirrjeje telefonike me një forcë islamike në Turqi. Dhe duhet ta themi, kjo është administrata më pro-izraelite ndonjëherë.

Këtë e shkruaj si dikush që e mbështeti Trumpin dhe vendimin e tij për të lëvizur Ambasadën e SHBA-së në Izrael, nga Tel Avivi në Jerusalem, dhe që e vlerësoi vendimin e tij për t’u tërhequr nga marrëveshja bërthamore e Iranit si të guximshëm dhe korrekt.

Unë gjithashtu, do të kisha kundërshtuar vendimin e presidentit për të hequr forcat amerikane nga Siria, pothuajse në çdo rrethanë. Arsyet për qëndrimin në Siri lidhet me interesat kryesore të SHBA.

Fuqitë që mbajnë një reputacion si aleatë të besueshëm dhe armiq të frikshëm tentojnë të rrisin fuqinë e tyre. Fuqitë që sillen si Amerika e Trumpit e kanë shpërdoruar atë.

Por, a janë më mirë izraelitët tani që Ambasada e SHBA-së është në Jeruzalem? Jo në fakt. Ky veprim ishte kryesisht një çështje simbolike.

A janë izraelitët më të sigurt nga Irani tani që SHBA nuk është më në marrëveshjen e Iranit dhe sanksionet janë kthyer në fuqi? Vetëm pak. Sanksionet janë një mjet i strategjisë, jo një strategji për veten e tyre.

Ajo që Izraeli ka më shumë nevojë sot është një Amerikë e angazhuar për të mbrojtur rendin liberal-ndërkombëtar kundër armiqve totalitarë, në krahasim me një Amerikë me politikë të jashtme thjesht transaksionale bazuar në nevojat e momentit ose tekat e një presidenti.

Kjo do të thotë që Shtetet e Bashkuara nuk duhet të “shesin” kombe të vogla, qoftë Izraelin në vitin 1973 apo Kuvajtin në vitin 1990, për hir të favorizimit me ato më të mëdha. Kjo do të thotë që ne duhet t’i rezistojmë agresorëve të huaj, qoftë sovjetikëve në Egjipt në vitet 1960, apo rusët dhe iranianët në Siri në këtë dekadë. Kjo do të thotë që ne duhet të kundërshtojmë fundamentalizmin fetar të militantëve. Kjo do të thotë që ne duhet të mbrojmë të drejtat e njeriut, liritë civile dhe institucionet demokratike, në atë mënyrë.

Trump nuk tregon ndonjë interes në largimin e Rusisë nga Siria. Ai as nuk ka ndjekur ndonjë strategji koherente për largimin  e Iranit nga Siria. Ai e ka ftuar Turqinë të ndërhyjë në Siri. Ai nuk ka bërë asgjë për të parandaluar Iranin që të vazhdojë të armatosë Hezbollahun. Ai nuk tregon aspak lidhje me kurdët. Përgjigja e tij ndaj vrasjes së Jamal Khashoggit nga Arabia Saudite, është e zymtë. Ai flet pa autoritet mbi tema si liria e shtypit ose liria fetare. Plani i paqes ende i fshehtë për Izraelin dhe palestinezët mund të refuzohet prej tyre.

A është kjo e mirë për Izraelin?

Nëse mendoni se kërcënimi më i madh për Izraelin janë Hezbollahët, të mbështetur nga Irani, përgjigjja është jo.

Nëse mendoni se kërcënimi më i rëndë është vazhdimi i islamizimit të Turqisë nën udhëheqjen e Rexhep Tajip Erdoganit, përgjigja është jo.

Nëse mendoni se një tjetër kërcënim i rëndë për Izraelin është pamundësia për të ruajtur të paktën një vizion të një shteti të ardhshëm me qeverisje të mirë dhe paqe me fqinjët, ndërkohë që refuzon kleptokracinë dhe terrorizmin, përgjigja është jo.

Dhe në qoftë se ju mendoni se kërcënimi i fundit afatgjatë për Izraelin është rilindja e izolacionizmit në SHBA, përgjigja është edhe më e theksuar jo.

Gjatë tetë viteve të presidencës së Obamës, mendova se politika amerikane ndaj Izraelit, ndërhyrjet e paafta diplomatike, marrëveshja e Iranit, nuk mund të përkeqësoheshin. Por, Trump na ka vërtetuar totalisht të kundërtën…

Bret L. Stephens ka qenë një kolumnist i Opinionit në The Times që nga prilli i vitit 2017. Ai fitoi një çmim Pulitzer për koment në The Wall Street Journal në vitin 2013 dhe më parë ishte kryeredaktor i The Jerusalem Post./konica.al