MENU
klinika

Bie edhe për nëntorin

Turizmi frenon për të dytin muaj radhazi

24.12.2018 - 12:57

Turizmi po pëson një frenim të lehtë në tremujorin e fundit të fundit. Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, në nëntor Shqipërinë e vizituan 247 mijë shtetas të huaj, në rënie me 4% krahasuar me nëntorin e vitit të kaluar.

Bilanci i vitit 2018 ngelet gjithsesi pozitiv. Për 11 muaj, Shqipërinë e vizituan 5.65 milionë shtetas të huaj, në rritje me 16% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Deri në fund të sezonit veror, turizmi hyrës i shtetasve të huaj kishte shfaqur shifra rekord, ndërsa për tetorin dhe nëntorin u shënuan për herë të parë shifra në rënie gjatë vitit 2018.

Rënia më domethënëse në dy muajt e fundit ka ardhur prej vizitorëve nga Kosova. Hyrjet e shtetasve kosovarë ranë me 27% për nëntorin, ndërsa kishin rënë ndjeshëm me 16% edhe për muajin tetor. Për nëntorin, në Shqipëri hynë 25 mijë shtetas kosovarë më pak krahasuar me nëntorin e vitit të kaluar. Mund të supozojmë se hyrja në fuqi e taksës së kalimit në Rrugën e Kombit ka pasur një efekt frenues te lëvizjet e shtetasve në këtë rrugë.

Sidoqoftë, ky vit ngelet pozitiv për turizmin hyrës dhe shtetet me rritjen më të lartë të numrit të vizitorëve janë Polonia, Italia dhe SHBA.

Ndërkohë, vizitat e shqiptarëve jashtë vendit u rritën edhe për nëntorin, me 3% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në 11 muaj të këtij viti, shqiptarët kanë kryer afro 5 milionë dalje jashtë vendit, në rritje me 4% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Edhe tremujori III në rritje

1.5 mld euro të ardhura nga turizmi