MENU
klinika

Histori njerëzore

U cilësua si i njerëzishëm, por nga zyra i dilnin nëpunës pa ndjenja!

24.12.2018 - 15:21

Shkalla e karakteri diktatorial i një shteti shprehet simbolikisht edhe në “temperaturën” e emocioneve në komunikimet ndërmjet nëpunësve të niveleve më të lartë dhe vartësve të tyre. 

Valentine Barezhkov, i cili ka shërbyer si diplomat dhe për shumë vite si përkthyes ndërmjet udhëheqësve kryesorë të shtetit sovjetik dhe presidentëve, kryeministrave dhe ministrave të shteteve të tjera si Gjermania, Anglia, Shtetet e Bashkuara të Amerikës etj, përgjatë viteve dramatike të Luftës së Dytë Botërore dhe më pas, përshkruan situata të komunikimit të Vjaçesllav Mihajlloviç Molotovit me nëpunës të niveleve të ndryshme.

Molotovi ka kryer detyrën e kryeministrit të Bashkimit Sovjetik në vitet 1930-1941, atë të zëvendëskryeministrit të parë dhe të ministrit të Punëve të Jashtme të Bashkimit Sovjetik në vitet 1941-1949 si dhe 1953-1956. 

Molotovi ishte afirmuar si një nga udhëheqësit më të qetë, më të ekuilibruar dhe me komunikim më të njerëzishëm në marrëdhënie me vartësit, megjithatë, edhe nga zyra e tij dilnin nëpunës pa ndjenja.

Valentine Berezhkov shkruan: 

“Me vartësit e drejtpërdrejtë Molotovi ishte i matur, i sjellshëm, gati kurrë nuk e ngrinte zërin dhe nuk përdorte fjalë të pista, çka në atë kohë quhej e zakonshme në rrethin e udhëheqësve. 

Por ndodhte që ndonjëherë ta shante aq rëndë një diplomat të ri, që nuk qe në gjendje t’i raportonte si duhej për gjendjen në vendin ku shërbente, sa ai humbiste ndjenjat. Atëherë Molotovi e lagte fatkeqin me ujë të ftohtë nga shishja dhe thërristë rojat ta nxirrnin e ta çonin në sekretariat, ku ne mundoheshim ta sillnim në vete”.

Natyrshëm shtrojhen pyetjet: 

Pse komunikimi me tone nervoze e fyese i eprorëve madhorë provokonte vilani te nëpunësit vartës të niveleve më të ulëta? Vilania shprehte frikë nga “natyra e vrazhdë, cinike ose sadiste” e një eprori të caktuar, apo frikë nga sistemi shtetëror, frikë nga e ardhmja?

Në turfullimin e jashtëzakonshëm të eprorit madhor nëpunësit vartës shihnin me sytë e shpirtit, të logjikës e të përvojës së kolegëve e të paraardhësve kalvarin e tmerreve që i prisnin në të ardhmen. Ishin më të pakët nëpunësit me fat që, pasi tejkalonin gjendjen e vilanisë, nuk kishin pasoja të tjera, ktheheshin përsëri në detyrën e mëparshme.

Për pesën më të madhe të nëpunësve, vilania në zyrat e eprorëve të niveleve të larta funksiononte si parandjenjë e “frakturave” të rënda, të shumëllojshme që i prisnin në të ardhmen. 

Më e lehta ndër “frakturat” përfytyrohej ulja në hierarkinë e nëpunësve, e cila mund të ishte drastike ose e përshkallëzuar. Gjithsesi, ulja në përgjegjësi i shëndronte ata në qytetarë të dorës së fundit.

Më fatkeqë konsideroheshin nëpunësit, të cilët e përfytyronin veten në rrugën e vështirë të internimit, më së shpeshti në skajet e largëta, mjaft të izoluara të Siberisë, si zona më e ftohtë e Bashkimit Sovjetik të atyre viteve.

Sfidat e tyre i vuanin edhe gratë apo fëmijët. Vetëm me një vendim të Byrosë Politike të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, u internuan rreth 43.000 gra dhe fëmijë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit