MENU
klinika

Nga Faik Konica

Vallë anarqia, ku do ta shpjerë vendin?

20.12.2018 - 17:47

Shqiptarët kishin zakon të thoshin se shpëtimin dhe përparimin e Shtetit e ndalojnë tre veta: Esadi (Toptani), Bib Doda, Ismail Qemali. Njëri nga këta vdiq, dy u vranë. Që të tre u çduknë. Po në vënt të tyre duallnë një duzinë tiranë dhe intriganë të tjerë.

Në një artikull, të botuar, kur mësuam se ra Guverna e Pandeli Vangjelit, i këshilloja Parlamentit të ftojë Fan Nolin në krye të kabinetit të ri. Dhe shumë njerës, këtu n’Amerikë, si m’at’anë t’ujit, ishin të bashkuar n’atë mendim. Po pak ditë pastaj ngjau një gjë e papritur: Korça, kurdoherë e patrembur, përzuri Jakovin edhe thirri në vent të tij Fan Nolin, i cili hyri në mes të entusiazmës popullore dhe meshoi në Shën Gjergj.

Atëhere sicilido ndryshojë mendimin që pati, edhe tha se puna e do që paskataj Fan Noli të heqë dorë nga politika dhe të rrijë në Korçë, ku me diturinë dhe talentin e tij, do të bëhet për pak kohë jo vetëm kryetari fetar i njohur i gjithë orthodoksëve shqiptarë, po ndofta edhe njeriu më i besuar, më i pyetur dhe më i dëgjuar i tërë Shqipërisë.

Për fat të zi, era e politikës fryjti ndryshe; dhe pak ditë më vonë na erdhi e reja se Fan Noli u bë Ministër i Punëve të jashtme. Që të thomi të drejtën, kjo candë s’na gëzoj tepër : kemi frikë që rasti, për të themeluar në Korçë një fortesë morale dhe qytetëronjëse, mos humbi për shumë kohë; pastaj, në qoftë se e donte puna që të kthehej në politikë, dëshirojim që hyrja e Fan Nolit në Guvernë t’ish në kondita të tjera.

Po si do qoftë, kishim shpresë se Fan Noli, bir’ dhe udhëheqës i Vatrës e i shqiptarëve të Amerikës, do të mundohej të vente në punë ca nga idealet që kemi ushqyer për Shqipërinë më kët’ anë t’ujit;- edhe dojim, në një artikull nën emrin”Fan Noli dhe “Vatra”, t’i përmendim detyrën morale që e lidh dhe e shtërngon të punojë për ato ideale, pa vënë re pallavrat e errëta që hedhin ca student t’ Universitetit Latour e t’Akademisë Bussi, për të cilët, kurdoherë, koha e qytetërimit “nuk arriu edhe”, po koha e plaçkitjes arriu dhe duhet të mbetet. S’kam ndonjë dyshim që Fan Noli, në poezitë e reja të tij, s’do të kish harruar asnjë nga idealet e shkuara dhe do t’nderonte përsëri veten e tij dhe VATRËN që e përkrahu dhe gjithnjë do t’a përkrahë.

Po për fat të keq , në moving picture (apo më mirë moving tragedy) të Shqipërisë, filmi i fundit na tregon ca lodra të rrezikshme që s’lënë më vënt për fjalë programi dhe reformash, po bërtasin për një shpëtim të shpejtmë të Shtetit, i cili u trondit dhe është në të gremisur e sipër.

Shqiptarët kishin zakon të thoshin se shpëtimin dhe përparimin e Shtetit e ndalojnë tre veta: Esadi (Toptani), Bib Doda, Ismail Qemali. Njëri nga këta vdiq, dy u vranë. Që të tre u çduknë. Po në vënt të tyre duallnë një duzinë tiranë dhe intriganë të tjerë. Qetësia dhe shtrimi s’bëjtin as një çap në Shqipëri. Për kundrë, turbullimet u shtuan.

Se më parë kish një ballancë të tiranisë në Shqipëri: despotizma e Esadit në mes, intrigat e Bib Dodës në Veri, gënjeshtrat e Ismail Qemali në Jug, rëndonin njëra kundër tjetrës. Kur shkuan Bib Doda me Ismail Qemalin, duallnë n’ato vënde një grup tiranësh dhe vagabondësh të cilët menjëherë ballancuan tiranin’ e Esadit.

Si u çduk Esadi, ballanca u prish me njëherë: U sulnë në shesh një tokicë aventurierësh, të dehur me ambicje, të ndezur nga etja e pasurisë, të tërbuar nga lakmia e fuqisë dhe i arit, të cilëve nuk u vë nonjë fre as ndërgjegja e tyre e pazhvilluar, as kodi, për ta i panjohur, i nderit, as ideali i një qytetarie të lartë e i një atdhesie të hollë, ku s’u arrin kurrë mendja. Këta aventurierë të përgjakur i ruante deri dje frika e Esadit: I vdekur Esadi, s’ka më asnjë pengim, dhe nisi mes tyre një luftë e ashpër për diktaturë dhe fuqi. Sicilido nga ata është kandidat për vendin e Esadit.

Ngjarjet e sotme tregojnë sheshit gabimet e atyre filozofëve kafeneshë që kujtojinë se shpëtimi i Shqipërisë varet nga vrasja e dy apo tre vetëve. U vranë, po puna s’ndryshoi as pak. Dhe po të dalin nesër disa patriotë katilë, që t’i qërojnë tiranët zëvendës të Esadit, vepra kriminale idealiste e tyre do të vejë prapë e humbur. Se këtu s’ke të bësh me ca njerës të veçuar, ke të bësh me një pemë që e pjell Dhe’u i Shqipërisë. Dhjetë të qëruar, një mijë të tjerë të lindur!

Fati më i rrezikshëm dhe që çfaq në ç’hall ndodhet vendi, është se oficerët, nëpunësit, mësonjësit gjithë veglat e Shtetit, marrin pjesë në trazimet politike: dhe me trembje, me dezertim, me strajk, duhet të bëhet e tyrja.

Lakmimi i cave e shpuri Shqipërinë në Anarqi. Vallë anarqia ku do ta shpjerë vendin? Në ndarje, apo në një mandate të huaj? Fan Noli do t’i bënte shërbimin më të madh Shqipërisë, sikur të ish i zoti të klliste pakë frymë regulle, drejtësie dhe bindjeje në mes t’asaj turme të dehur e cila vë në rrezik një popull të pafajshëm, të shënuar nga dora e fatit për një vdekje t’afërme dhe të turpshme.

*Botuar në revistën “Dielli”, 14 Janar 1922

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



Meli Qena: Është peridha më e ndritshme e jetës time

40 vjetori i themelimit të Teatrit ‘Dodona’

Arratisja më e madhe në veriun e vendit

Si e kaluan kufirin 26 veta të familjes Skepi më 1958!

Çfarë i ndodhi doktor Guarametos, i qëlluar nga hetuesi i tij

Misteret e një darke në faqet e një romani magjik të Ismail Kadaresë!

Bashkëshortja e ish-futbollistit rrëfen lidhjen e tyre pasionante

Piloti që u bë portier, historia e Mikel Jankut!

Xhufi: Enver Hoxha nuk donte t’ia linte partinë…

43 vjet nga vdekja, letra e fundit e Mehmet Shehut!