MENU
klinika

Kina nuk pranon leksione!

Xi Jinping: Mos na tregoni se çfarë të bëjmë

18.12.2018 - 14:29

Presidenti kinez, Xi Jinping, ka paralajmëruar vendet të tjera që të mos i “diktojnë” Pekinit se çfarë duhet dhe nuk duhet të bëjë.

“Askush nuk është në gjendje t’i diktojë popullit kinez se çfarë duhet apo nuk duhet të bëjë”, tha Xi në një fjalim që shënon 40 vjetorin e hapjes së ekonomisë kineze. “Ne duhet të reformojmë çfarë duhet dhe mund të ndryshohet”.

Fjalimi i Xi vjen në një pikë kthese për Kinën, pas dekadave të rritjes ekonomike që e kanë transformuar atë në ekonominë e dytë më të madhe në botë. Më 18 dhjetor 1978, udhëheqësi i atëhershëm, Deng Xiaoping, filloi zyrtarisht tranzicionin e Kinës nga një ekonomi komanduese, e dominuar nga komunizmi maoist i stilit të vjetër, në një ekonomi tregu ose “socializëm me karakteristika kineze”.

Tani, Kina po përballet me një rritje të ngadaltë ekonomike, një konfrontim tregtar me SHBA-në dhe kritika ndërkombëtare për shkeljet e të drejtave të njeriut.

Por Xi nuk foli fare për këto. Duke përshëndetur drejtimin dhe strategjinë e partisë deri tani si “absolutisht korrekte”, ai renditi arritjet e qeverisë.

“Uria, mungesa e ushqimit dhe veshjeve, dhe vështirësitë që ka hasur populli ynë për mijëra vjet kanë ikur  përgjithmonë dhe nuk do të kthehen më”.

Ndërkohë që premton të vazhdojë reformat, Xi nuk ka ndonjë politikë specifike.

Kritikët thonë se Kina ka nevojë për disa reforma, pasi problemet ekonomike të Kinës paraqesin një sfidë të tmerrshme për Xi, i cili ka marrë pushtet më shpejt se çdo paraardhës i tij.

Ai është kritikuar për rritjen e kontrollit të sektorit shtetëror mbi ekonominë, pasi kompanitë private kanë pasur më shumë vështirësi në marrjen e kredive. Rritja ekonomike gjithashtu është ngadalësuar.

Xi ka premtuar një “epokë të re” për Kinën. Megjithatë, vëzhguesit thonë se fjalimi i tij nuk tregoi ndonjë drejtim të ri vendimtar për vendin.

Në komentet e tij, Xi përsëriti premtimet e përhershme se Kina nuk do të kërkonte kurrë hegjemoni globale. “Kina po afrohet në qendër të skenës botërore dhe është bërë ndërtuese epaqes botërore, një kontribuese në zhvillimin global dhe një mbrojtëse e rendit ndërkombëtar”, tha ai./konica.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN