Përcaktohen dy finalistet e turneut të madh Australian Open për femra. Petra Kvitova dhe Naomi Osaka do të përballen në finalen e 26 janarit, në “Rod Laver Arena”, në orën 9:30.
Finalistja e parë ishte Kvitova, e cila mundi në gjysmë-finale amerikanen Danielle Collins. Rezultoi një ndeshje e thjeshtë për tenisten çeke që fitoi në dy sete, 7-6 dhe 6-0, në një ndeshje që zgjati një orë e 33 minuta.
28-vjeçarja mund të quhet si njeriu i finaleve, pasi në 8 finale ku ajo ka shkuar ia ka dalë t’i fitojë të gjitha.
Gjithsesi, këtë herë përballë do të ketë japonezen Osaka, e cila mundi në gjysmë-finale Karolina Pliskovan.
Në fakt kjo ishte një ndeshje më e luftuar, sepse në setin e parë fitoi japonezja me rezultatin 6-2, por çekja ia ktheu në të dytin në shifrat 6-4. Seti final u fitua nga Osaka në po në shifrat 6-4 dhe arriti të sigurojë një finale të Australian Open për herë të parë në karrierë.