MENU
klinika

Vendimi nga Autoriteti i Konkurrencës

Bankers detyrohet të furnizojë Rafinerinë e Ballshit

18.01.2019 - 15:06

Autoriteti i Konkurrencës ka vendosur të detyrojë Bankers Petroleum të furnizojë me naftë rafinerinë e Ballshit, në sasi të mjaftueshme për të siguruar vijimësinë e punës. Pas një ankese të ardhur nga kompania që shfrytëzon me qira këtë rafineri, Tosk Energji, Autoriteti ka vendosur të nisë një hetim ndaj Bankers dhe njëkohësisht të vendosë masa të përkohshme ndaj saj. Në rast se Bankers refuzon të furnizojë Tosk Energji me sasinë e nevojshme të naftës, ajo rrezikon një gjobë deri në 10% të xhiros vjetore.

Tosk Energji pretendon se nuk është furnizuar me sasinë e nevojshme me naftë bruto, çka e ka futur në kolaps funksionimin e Rafinerisë së Ballshit, ndërsa Bankers e eksporton pjesën më të madhe të naftës që nxjerr nga nëntoka shqiptare. Sasia e ofruar nga Bankers, rezulton të jetë e pamjaftueshme për të mundësuar ndezjen e rafinerisë së Ballshit, kjo e fundit operon vetëm në kushtet e një furnizimi linear dhe periodik gjatë një muaji.

Sipas Autoritetit të Konkurrencës, mosfurnizimi, sipas grafikut të rënë dakord me lëndën e parë si input thelbësor rrezikon të nxjerrë jashtë tregut kompaninë Tosk Energji.

“Vlerësojmë se jemi përpara një rasti urgjence, pasi mos furnizimi me sasinë e nevojshme të produktit naftë bruto nga ndërmarrja me pozitë dominuese Bankers për ndërmarrjen Tosk Energji dhe ndërmarrjet e tjera që ushtrojnë aktivitet në tregun e përpunimit të naftës bruto, sjell ndërprerjen e aktivitetit të tyre dhe nxjerrjen nga tregu i përpunimit të naftës bruto dhe prodhimit të nënprodukteve të naftës. Nxjerrja nga tregu e ndërmarrjeve që ushtrojnë aktivitet në tregun e përpunimit të naftës bruto dhe prodhimit të nënprodukteve të naftës është një dëm i rëndë dhe i pariparueshëm për konkurrencën,” thuhet në vendimin e Autoritetit të Konkurrencës.