Bashkimi Europian votoi për vendosjen e sanksioneve ndaj Shërbimit të Inteligjencës iraniane dhe dy qytetarëve iranianë në vijimësinë e akuzave për komplote të sulmeve në Danimarkë dhe Francë.
Sanksionet u miratuan në mbledhjen e ministrave të Këshillit të Bashkimit Evropian, ndërsa vendimi pritet të bëhet publik shumë shpejt. Emrat e dy qytetarëve iranianë nuk janë bërë të ditur ende.
Kjo lëvizje vjen pasi Këshilli e rishikoi listën e terroristëve dhe asetet e të cilëve janë bllokuar nga ana e Brukselit. Kjo listë përfshin organizata dhe individë.
E krijuar pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ajo ka dhe emrat e 5 iranianëve. Diplomatët francezë dhe danezë, i informuan homologët e tyre evropianë gjatë muajit dhjetor në lidhje me komplotet e thurura sipas tyre për eliminimin e kundërshtarëve të regjimit iranian në tokën franceze, Danimarkës e Holandës.
Qeveria hollandeze beson se pas vrasjes së dy disidentëve në vitet 2015 dhe 2017 qëndron pikërisht Irani.
Edhe Franca e akuzon Iranin për komplotin e vendosjes së një makine bombë, në një tubim pranë Parisit të një grupi opozitar iranian.
Sanksionet e vendosura nga BE-ja përfshijnë ngrirje të fondeve dhe aseteve të tjera financiare të shërbimit iranian të inteligjencës dhe individëve në fjalë.
BE është treguar e kujdesshme më parë me Iranin, duke qenë se po përpiqet ta shpëtojë marrëveshjen bërthamore me të në një kohë kur Shtetet e Bashkuara zgjodhën të tërhiqeshin nga pakti e të vendosnin mbi republikën islamike sanksione të reja.