MENU
klinika

200 milionë lekë pa shlyer

Bonusi bebeve, nuk është paguar as 5 mijë lekëshi

25.01.2019 - 16:36

Duke filluar nga ky vit, shteti do të japë një bonus të shumëfishuar për lindjen e fëmijëve. Por, ndërkohë, deri në fund të vitit të kaluar qeveria nuk kishte paguar as bonusin modest prej 5 mijë lekësh për lindje që parashikohej më parë.

Deri në fund të vitit të kaluar, për 40 mijë lindje nuk ishte shpërndarë ende shpërblimi që përcakton ligji i mëparshëm. Ky detyrim ishte rreth 200 milionë lekë, (afërsisht 1.6 milionë euro), detyrimi i prapambetur i akumuluar nga mosshpërndarja e shpërblimit prej 5 mijë lekësh që përfiton çdo nënë pasi sjell në jetë fëmijë.

Kjo shifër është përfshirë në buxhetin e vitit 2019, ku Qeveria parashikon një fond prej 200 milionë lekësh për Ministrinë e Brendshme, si detyrime të prapambetura për shpërblimet e lindjes.

Ndërkaq, përmes nismës së Qeverisë për nxitjen e lindjeve, nga 1 janari 2019 do të ketë shumëfishim të bonusit për çdo bebe të ardhur në jetë. Fëmija i parë i një çifti do të marrë 40 mijë lekë, fëmija i dytë do të marrë 80 mijë lekë, ndërsa fëmija i tretë do të marrë 120 mijë lekë.