MENU
klinika

Albert Çaçi

Brexit – Të gjithë pa plan

24.01.2019 - 09:14

Ajo që po ndodh sot në jetën politike britanike, lidhur me çështjen Brexit, nuk ka precedent, në gjithë historinë e saj. Asnjëherë Britania e Madhe nuk është ndodhur në një konfuzion, paqartësi dhe mungesë vizioni si këtë radhë.

Përkundrazi, gjithmonë Britania e Madhe është karakterizuar nga një vendosmëri dhe vizion, që e ka bërë tnë vetmin vend që i ka fituar të gjitha luftërat në tre shekujt e fundit.

Asnjëherë ajo nuk është ndodhur në pozicionin e gabuar me historinë.

Dhe ia vjen një ditë, që ajo gabon qasjen me një ngjarje, që mund t’i kushtojë jashtëzakonisht shtrenjtë.

Brexit dëshmon qartë dështimin total të kësaj elite politike britanike. Dhe këtu nuk flitet vetem për humbje të karakterit ekonomik, që me kohën edhe mund të rikuperohet, por bëhet fjalë edhe për ekzistencën e shtetit unitar britanik.

Në këto momente vështirësie duket qartë, lehtësia gati e papërgjegjshme me të cilën i hyn një nga sfidave më të mëdha të këtij shekulli.

Kjo filloi në vitin 2016, kur me një lehtësi të paimagjinueshme, pa ia kërkuar askush, për arsye thjesht të politikës së brendshme partiake, kryeministri i kohës Cameron, kërkoi nga britanikët të shpeheshin për largimin ose jo nga Bashkimi Europian.

Duke i besuar verbërisht sondazheve që jepnin Remain në mbi 60%, askush nuk u mor seriozisht se ç’do të ndodhte po të fitonte Brexit. Asnjeri nuk llogariti se ç’pasoja do të kishte, se cila do te ishte e ardhmja e Britanisë jashtë BE, çfarë fature do të duhet të paguanin britanikët për daljen, çfarë do të ndodhte me kufirin midis dy Irlandave, dhe mbi të gjitha si do të ndaheshin, pasi kjo mund të ndodhte për herë të parë në historinë 62-vjeçare të BE.

Po e njëjta gjë edhe nga krahu tjetër, ai i BE. Askush nuk e mori seriozisht se ç’do t’i ndodhte BE-së, po të largohej shteti i tretë më i madh nga popullsia (60 milion banorë), dhe i dyti nga GDP (2,62 triliard dollarë), vetëm pas Gjermanisë, si do ndikonte kjo në forcën e BE në botë, çfarë mesazhi do tu jepej vendeve të tjera që mund të kërkonin të largoheshin, ç’do të bëhej me buxhetin e BE pas largimit të financueses së dytë.

Pra, askush në të dy krahët nuk e vrau shumë mendjen se ç’do të ndodhte, pasi menduan se referendumi për Brexit ishte vetëm një lojë, një formalitet.

Por shumë shpejt kuptuan se kishin bërë një gabim historik. 6 muaj më vonë, një personazh tjetër i paimagjinueshëm u zgjodh president i SHBA, kundër gjithë parashikimeve.

Tashmë u kuptua qartë se sa larg kishin shkuar elitat politike me politikat e tyre globaliste, dhe çfarë diference e thellë ishte krijuar me votuesit, që po humbisnin gjithnjë dhe më shumë nga statusi i tyre ekonomiko-shoqëror, dhe nga e ardhmja e tyre.

Pas 2 vjet bisedimesh me BE për Brexit, u arrit një lloj marrëveshjeje shumë e diskutueshme, që shkaktoi pakënaqësi transversale. Këtë marrëveshje, Parlamenti britanik e rrëzoi me 422 vota kundër (vetëm 202 pro), duke shënuar kështu një rekord negativ historik votimi kundër një qeverie. Megjithatë, May vendosi të rrijë në pushtet, edhe pse tashmë nuk ka një plan të qartë se si do veprojë me këtë parlament, ku edhe mbi 200 deputetë të partisë së saj votojnë kundër.

Pas këtij votimi, gjithçka u kthye në pikën e fillimit. Nga BE u bë e qartë se nuk ka më diskutime të tjera, madje se BE dha në këtë marrëveshje maksimumin e mundshëm.

Duhet theksuar edhe një fakt tjetër, se jo të gjithë, pavarësisht deklarimeve publike, iu vjen keq që Britania po ikën.

Fakti i nënshkrimit të paktit franko-gjerman pardje në Aquisgrana, tregon se largimi i Britanisë lëvizi disa ekuilibra brenda BE-së, që tashmë përfundimisht do të jetë nën drejtimin e tyre. Asnjë shtet tjetër në BE nuk ka më forcë t’i kundërshtojë ata. E vetmja ishte Britania e Madhe.

Por, edhe në aspektin ekonomik janë disa faktorë brenda BE që duan që Britania të largohet. Mjafton vetëm një fakt. Bursa e Londrës, e dyta në botë mbas asaj të New York, shkëmben çdo ditë aksione me një vlerë të konvertuar prej 850 miliard euro, dhe reth 80% të shkëmbimeve janë në euro. Mund të imagjinohen përfitimet britanike nga komisionet për këtë vlerë shkëmbimesh, që tashmë pas Brexit do të zhvndosen në pjesën më të madhe, për ato në euro drej Frankfurtit, Parisit apo Milanos.

Të mbetur tashmë pa plan rezervë, duke i fryrë skenarëve katastrofikë, mundohet të hedhin ide gati të parealizueshme, si për shembull një referendum të dytë, duke sfiduar votën e britanikëve, pa asnjë siguri se nuk përsëritet i njëjti rezultat.

Pavarësisht sondazheve, që tani në Britani nuk i besojnë më, pas asaj që ndodhi, nuk ka garanci për fitoren e Remain. Pardje, një sondazh i fundit tregonte që vërtet rreth 25% e konservatoreve mund të kenë ndryshuar qëndrim drejt moslargimit, por nga ana tjetër, nga laburistët, ku baza kryesore e mbështetësve janë grupet e punëtorëve, që vuajnë më shumë politikat globaliste, mbi 30% kanë ndryshuar mendim dhe janë pro largimit nga BE.

Pra, konfuzioni nuk mbretëron vetën ndërmjet politikanëve, po ajo që është më e rëndësishme, midis vetë elektoratit.

Frika, pasiguria, për të humbur të drejtat e fituara me shumë përpjekje, mosbesimi tek aftësitë e kësaj klase politike, ecja pa vizion drejt të ardhmes, ka shkaktuar një situatë shumë stresante në gjithë jetën politiko-shoqërore britanike.

Nga ana tjetër po afrojnë zgjedhjet parlamentare europiane të majit, dhe Britania e Madhe nuk mund të marrë pjesë, pasi sipas vendimit, ajo më 29 mars duhet të largohet me ose pa marrëveshje. Por, pardje në Bruksel u hodh ideja e “ndritur” se Britania mund të marrë pjesë, dhe nëse ajo largohet më vonë, vendet e deputetëve të saj (73) mund të rishpërndahen ndërmjet vendeve të tjera.

Se si mundet Britania e Madhe të hyjë në zgjedhje dhe të bëjë fushatë për politikat e BE, kur populli i saj ka vendosur largimin, këtë vetëm burokratët e ftohtë në Bruksel mund ta imagjinojnë.

Sidoqoftë, në këtë situatë konfuzioni total, problemi i problemeve, dhe shumë më i rrezikshëm, është ai i unitetit të Britanisë së Madhe.

Irlanda e Veriut nuk pranon absolutisht që të rivendoset kufiri mbas Brexit midis dy Irlandave, dhe që mund të kërkojë të ngelet në BE, ose me keq, mund të kërkojë referendum për bashkimin me Republikën e Irlandës.

Këtë shembull mund ta ndjekë edhe Skocia, që është gati për një referendum të dytë, duke synuar qëndrimin në BE. Pra, praktikisht mundet që vetëm Anglia dhe Uellsi të ngelen bashkë në Brexit.

Një situatë me të vërtetë alarmante po përjetohet për herë të parë që nga krijimi i Britanisë së Madhe më 1801.

Tentativa e fundit e May për të negociuar nje plan daljeje me gjithë partitë politike dështoi, pasi nuk u gjet gjuha me opozitën.

Një plan B, që po qarkullonte dje, rezulton një plan A i maskuar, vetëm se këkohej të rinegociohet me Brukselin, i cili duket se nuk ka shumë dëshirë, për të gjetur të paktën një zgjidhje për kufirin midis dy Irlandave.

Në Bruksel, dhe veçanërisht në Gjermani, po krijohet ideja se në Britani nuk e kanë të qartë se sa e rëndë është situata.

Një propozim nga Polonia për një ngrirje për 5 vjet të Brexit u hodh poshtë nga Ministri i Jashtëm gjerman Maas, thjesht si një shprehje solidariteti e polakëve ndaj britanikëve. Duket se tashmë polakët i tremben një Gjermanie shumë më të fuqishme brenda BE pas Brexit.

Duke qenë se të gjithë kanë ngelur pa plan, e vetmja që ka ngelur është një Hard Brexit, që konsiderohet skenari me negativ i mundshëm, pasi realisht një dalje e tillë i dëmton seriozisht, jo vetëm Britaninë e Madhe, por edhe vetë BE-në.

Elita politike britanike, me miratimin e referendumit për Brexit, (aq më tepër të pakërkuar) bëri një gabim llogaritjeje të jashtëzakonshëm, që demonstroi se sa larg gjykimit të njerëzve kishte shkuar, duke mos kuptuar sensibilitetet e tyre për shumë probleme të akumuluara.

Dhe siç dihet, gabimet në histori kushtojnë shumë rëndë, aq më tepër kur lëvizet pa plane nga një ish-perandori globale dhe gjithçka i lihet në mënyrë të papërgjegjshme spontanitetit.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN