MENU
klinika

Hidhet një hap i rëndësishëm

Bursa shqiptare drejt hapjes për sektorin privat

24.01.2019 - 12:54

Në fund të këtij muaji, pritet që Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare të licencojë regjistrarin e titujve ALREG. Licencimi i ALREG do t’i hapë rrugë tregtimit të titujve të subjekteve privatë në Bursën Shqiptare të Titujve (ALSE).

Ligjërisht, ALSE mund të nisë tregtimin e titujve të kapitalit dhe borxhit privat që nga fundi i muajit shkurt. Në licencë, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka përcaktuar se aktiviteti i bursës në vitin e parë do të kufizohet vetëm në titujt qeveritarë, ndërsa më tej mund të nisë edhe tregtimi i titujve privatë. Por, që të bëhet një tregtim i titujve privatë, duhet të ekzistojë një regjistër për pronësinë e titujve.

Ky do të jetë funksioni i ALREG, që do të bëjë kalimin e pronësisë së aksioneve apo obligacioneve nga shitësi te blerësi dhe njëkohësisht do të ekzekutojë transferimin e çmimit të paguar nga blerësi te shitësi.

Për këtë arsye, ALREG do të duhet të licencohet dhe si operator i sistemeve të pagesave nga Banka e Shqipërisë, në mënyrë të mund të kryejë plotësisht funksionin e vet.

Në fakt, ALREG do të jetë një regjistër i të gjithë titujve, duke përfshirë këtu edhe aksionet që tregtohen jashtë bursës. Nëse aktualisht kuotat e shoqërive aksionere mund të regjistrohen vetëm në Qendrën e Regjistrimit të Aksioneve, këtë funksion së shpejti do të mund ta kryejë edhe ALREG.

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN