MENU

Shpenzimet mesatare mujore

Buxheti i familjeve shqiptare, sa shpenzojnë ato?

13.01.2019 - 13:34

Familjet shqiptare janë treguesi më thelbësor i jetës ekonomike në vend. Në bashkveprim me faktorë politik, ekonomik e social,  buxheti i familjeve shqiptare ka pësuar luhatje të ndjeshme. Kështu, shpenzimet totale për konsum arrijnë në 56.5 miliardë lekë në muaj për 769.494 familje shqiptare.

Sipas statistikave të Instat shpenzimet mesatare mujore për konsum të njësive ekonomike të familjeve, të përbëra mesatarisht nga 3.7 persona arrijnë në 73.400 lekë.

Një person harxhon mesatarisht 19.660 lekë në muaj, nga të cilat 8.664 lekë shkojnë për konsum ushqimor ndërkohë 10.996 lekë shkojnë për konsum jo-ushqimor.

Të dhënat  statistikore dëshmojnë se shpenzimet mujore për konsum të familjeve shqiptare në 2017 janë 0.4% më të larta se në 2016 dhe duke marrë parasysh se viti 2017 është shoqëruar me një rritje të çmimit të konsumit me 2.0% krahasuar me 2016.

Cilat janë kategoritë në të cilat familjet shqiptare kanë shpenzuar më shumë nga buxheti i tyre familjar?

Sipas Instat grupi për “ushqim dhe pije joalkolike” arrin një vlerë të shpenzimeve mesatare mujore në 32.347 lekë duke zënë një peshë prej 44.1% në buxhetin familjar total.

Grupi shpenzimeve për banesën për: ujë, lëndë djegëse, energji elektrike e qira të paguar e riparime të vogla arrin në një vlerë mesatare mujore të shpenzimeve prej 7.998 lekë i cili përbën 10.9% të totalit në buxhetin e familjes.

Grupi “transport” përbën një vlerë të shpenzimeve mesatare mujore prej 5.294 lekë e zë 7.2% të buxhetit total.

Në veçanti peshën më të madhe të shpenzimeve e zënë “shpenzime për karburantë dhe lubrifikantë” me 57.8% kjo shoqëruar me rritjen e çmimit të naftës, pas tyre vijojnë shpenzimet për “shërbim transporti” me 22.2%.

Ndër qarqet në vend me shpenzime të larta mujore e para renditet Tirana me 87.968 lekë të harxhuar në muaj, pas saj vjen Durresi me 76.129 lekë në muaj shpenzime e ndërkohë që qarku me shpenzimet më të ulëta në vend rezulton të jetë Dibra me 47.467 lekë shpenzime në muaj. Mesatarja e shpenzimeve  të vendit arrin në 73.400 lekë në muaj.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN