MENU
klinika

Albert Çaçi

Egjipt-SHBA, tentativë për afrim

12.01.2019 - 09:35

Sekretari amerikan i shtetit Mike Pompeo bëri këtë javë një vizitë në Egjipt.

Realisht marrëdhëniet midis Egjiptit dhe SHBA janë në nivel minimal pas një sërë ngjarjesh, që filluan me Pranverën arabe të vitit 2011.

Obama në vitin 2009, në sallën e American University in Cairo shpalli platformën e tij lidhur me politikën ndaj vendeve myslimane, duke synuar një hapje ndaj tyre.

Në fakt, që nga ky moment, në gjithë botën arabe filloi një proces fermentimi, që i dha rrugë protestave masive të Pranverës arabe.

Në një moment krucial për historinë e Egjiptit, SHBA u rreshtua në krah të protestuesve të Vllazërisë mysliman,  të udhëhequra nga Morsi, kundër presisentit Hosni Mubarak, që kishte qenë aleat besnik i SHBA në Lindjen e Mesme për rreth 30 vjet.

Mubarakun e rrëzuan dhe e  arrestuan dhe Morsi, simbol i Pranverës arabe egjiptiane, me mbështetjen e Katarit dhe Turqisë, u zgjodh president.

Por politika e Morsit solli mjaft përshtjellime  dhe me ndihmën e Arabisë Saudite (armike e betuar e Vllazërisë myslimane) gjenarali Al -Sisi kreu një grusht shteti, duke burgosur Morsin dhe më vonë me zgjedhje, u bë President i Egjiptit.

Mbas këtyre ngjarjeve, Al-Sisi nuk komunikoi më me Obamën, në formë proteste për mosmbështetjen e Mubarakut, dhe Obama i preu ndihmat ushtarake, megjithëse nuk e kritikoi ashpër grushtin e shtetit. Edhe me ardhjen  e Trump, megjithëse një miqësie personale midis tyre, marrëdhëniet shtetërore nuk u përmirësuan.

Pikërisht në një moment mjaft të vështirë për politikën e SHBA në Lindjen e Mesme, Trump mendon se gjithçka duhet të fillojë nga Egjipti.

Pompeo, që jo rastësisht zgjodhi të njëjtin vend ku foli Obama, pra American University in Cairo, deklaroi qartë se SHBA kanë mësuar nga gabimet e të kaluarës dhe duan të nisin një epoke të re në marrëdhëniet midis dy vendeve.

Pra, qartësisht ai deklaroi se politikën e Obamës ndaj Egjiptit, administrata Trump e konsideron të gabuar, dhe dëshiron një rinisje të re, në këtë moment konfuzioni në Lindjen e Mesme.

Po përse SHBA zgjodhën këtë moment për tu afruar me Egjiptin?

Egjipti është shteti më i madh i Lindjes së Mesme , me rreth 100 milionë banorë. Ai është një nga vendet më potente arabe-sunite, me një histori dhe kulturë mijëravjeçare, dhe asnjë vend tjetër i botës arabe nuk mund të krahasohet me të.

Egjipti ka lozur një rol të rëndësishëm në bashkimin dhe udhëheqjen e botës arabe, sidomos mbas Luftës së Dytë Botërore dhe krijimit të shtetit të Izraelit në vitin 1948.

Sidomos gjatë udhëheqjes së Nasserit, Egjipti dominoi gjithë politikën e botës sunite, madje ishte edhe një nga 3 drejtuesit kryesore të Lëvizjes ndërkombetare të viteve 70 atë të Paangazhuarve.

Ai udhëhoqi dy luftërat e mëdha arabo-israelite të 1967 dhe 1973, pavarësisht se i humbën. Humbja e vitit 1973 qe shumë e rëndë për Egjiptin pasi ai humbi gadishullin e Sinait dhe izraelitët dolën në kanalin e Suezit duke kërcënuar  me mbylljen e tij. Në këto kushte, në vitin 1979, Egjipti nënshkroi me Izraelin një paqe të veçuar nga shtetet e tjerë, në këmbim të kthimit të Sinait.

Që nga ai moment, Egjipti  e humbi rolin udhëheqës në Lindjen e Mesme, pasi nga shumë vende arabe marrëveshja e Camp David u konsiderua si një tradhti, dhe vendi ndoqi një politikë drejtuar drejt një bashkëpunimi me SHBA, duke u larguar përfundimisht nga BS, gjatë 30 viteve të drejtimit nga Mubaraku.

Dihet tashmë fundi i Mubarakut dhe Egjipti i sotëm i  gjeneral Al-Sisit ndjek një politikë të tërhequar  nga Lindja e Mesme, duke u marrë vetëm me Libinë, ku një gjeneral tjetër Haftar i mbështetur edhe nga Rusia është bërë faktori kyç për të ardhmen e Libisël.

Në një konfuzion total, që po mbizotëron tashmë në Lindjen e Mesme, SHBA ka kuptuar se duhet një qasje e re politike dhe ribërje nga e para e gjithë alencave.

Aleati kryesor i SHBA në Lindjen e Mesme , Turqia, megjithëse edhe një aleat i NATO-s, sillet në një mënyrë asimetrike dhe ka kohë që ndjek një politikë që është hapur në kundërshtim me qëndrimet e saj.

Turqia krijon aleanca me Rusinë, madje blen edhe armatime prej saj, mbështet Iranin, ka marrëdhënie gati armiqësore me aleatët e SHBA, në rajon si Arabinë Saudite, Izraelin dhe Egjiptin, dhe mbi të gjitha janë në një diskordancë totale për çështje kurde. Këtë e dëshmoi edhe vendimi i fundit i Erdoganit për të mos pritur Bolton, këshilltarin e sigurisë së Trump.

Aleati tjetër, Arabia Aaudite, që pretendonte të ishte udhëheqësja e bllokut sunit kundër bllokut shia nën drejtimin e Iranit, rezultoi komplet e paaftë për këtë rol. Madje eliminimi makabër i gazetarit Khashogi e ka bërë akoma më të vështirë që këtij shteti mund t’i besohet roli kryesor në Lindjen e Mesme.

Nga ana tjetër, Izraeli, mbas drejtimit që mori lufta në Siri, është bërë shumë agresiv dhe duke i shtuar faktin e armiqësisë së tij të përjetshme, me arabët nuk mund të marrë ndonjë rol konstruktiv për politikën e SHBA në rajon.

Ndërkohë që, nga ana tjetër, Rusia dhe Irani kanë forcuar së tepërmi pozitat e tyre në gjithë rajonin, dhe lufta e Sirisë ia përforcoi së tepërmi ato.

Po t’i shtosh këtyre edhe veprimin e  fundit të tërheqjes së trupave nga Siria duke i lënë kurdët tashmë të vetëm përballë tankeve turke, me të vërtetë që SHBA ndodhen në pozitën më të vështirë të 70 viteve të fundit në Lindjen e Mesme. Aq më tepër që tashmë në këtë situatë kaotike, kanë vendosur të nisin një konfrontim ballor me Iranin, që mund të çojë në një përshkallëzim të rrezikshëm.

Prandaj Trump gjykon  se duhet t’ia rinisin me Egjiptin  dhe  dora-dorës t’i besojnë atij rolin drejtues të sunitëve në  Lindjen e Mesme, dhe ky është një ndryshim esencial i politikës amerikane në rajon.

Nuk duhet harruar se javën e shkuar Egjipti doli garant për një marrëveshje midis kurdëve dhe Assadit, së bashku me Rusinë, duke nervozuar jo vetëm Erdoganin, por edhe Izraelin dhe SHBA.

Por midis Egjiptit dhe Sirisë ka një lidhje historike shumë të fortë, madje të dy vendet  nga 1958-1971 kanë qenë një konfederatë të quajtur Republika Arabe e Bashkuar.

Pikërisht kjo marrëdhënie e veçantë me Sirinë, marrëdhëniet shumë të ngushta me Arabinë Saudite dhe Jordaninë, miqësia me kurdët, pesha e tij në konflikti libian, marrëdhëniet shumë miqësore me Rusinë, marrëdhëniet gati 40-vjeçare korrekte me Izraelin, mund ta bëjnë Egjiptin liderin natyral të sunitëve, me një rol shumë të rëndësishëm në gjithë Lindjen e Mesme.

Pikërisht këtë kanë kuptuar SHBA, se në kompleks rikthimi aktiv i Egjiptin, mund të jetë një faktor shumë pozitiv për ekuilibrat tashmë të shkalafitura të Lndjes së Mesme, dhe natyrisht që SHBA mund të kenë përfitime shumë të mëdha nga një Egjipt aktiv.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN