MENU
klinika

Muzika klasike

Ermonela Jaho mbretëron përsëri në Londër

18.01.2019 - 12:45

Nga Eugent Kllapi/

Si gjithmonë Ermonela Jaho triumfoi edhe në Londër në “Royal Opera House”. Ajo do të ndiqet live në të gjitha kinematë botërore në 30 janar. ”Në stacionin e saj” të tanishëm në Londër, ashtu si dëshiron ajo ta quajë, venqëndrimin profesional të radhës, fali madhështinë e saj, muzikën me rolin e mrekullueshmes Violeta të operas së Verdit të bazuar te shkrimtari Alexandër Dumas me veprën e tij ‘’Zonja në gamelie’’.

‘’Përsëritja është nëna e dijes’’ thuhet ndryshe dhe personifikimi i karrierës së saj në opera që vjen si riinterpretim. Mbi 200 herë ajo ka triumfuar në interpretimin e saj. Tashmë sa vjen e bëhet më magjiplotë falë përsosjes në karrierë dhe mishërimit të saj pas çdo herë me rolin.

Roli i Violetës është kthyer në personifikim të saj dhe të karrierës që ka në opera. Në fakt ajo është mishëruar në shumë role dhe karaktere, në shumë drama dhe tragjedi, deri në madhështi në aktin suprem të njeriut, në vdekje. Në cilat karaktere është përsosur ajo?

Janë të shumta dhe të shumllojshme në karakterologji, si psh., Mimi e Puçinit, Suzana te Dasma e Figaros e Molierit, Mikaela te Karmen, Safo e Massenet, Vajza e Orleanit e Çajkovskit , rolin e Suzanës, Ana Bolena në Paris, Norina e Don Paskuale, Luiza Miller e Verdit, Cio Cio San tek Madame Baterflay, në Angelica (Suor Angelica) Desdemona e Verdit tek Otello dhe Violeta e La Traviata.

Madhështia e saj vjen jo vetëm nga zëri. Ajo e ka tejkaluar zërin e saj të mrekullueshëm për t’u indetifikuar në shumë karaktere rolesh, muzikantësh, kolegësh dhe për t’u shkrirë te këto karaktere rolesh të kompozitorëve të mëdhenj.

Lufta e mendimit të gjenialiave të muzikës klasike të hedhura në drama dhe tragjedi vijnë në mënyrë mbreslënëse nga një mbretëreshe e muzikës klasike. Ku qëndron madhështia e saj?

‘’ Mendja ime nuk ka respektuar kurrë pengesat. Duhet t’i besoja ëndrrës time, zërit tim, qëllimeve të mia. Çdo gjë tjetër është sipërfaqësore.’’

Ëndrra e saj fillon në fëmini dhe tashmë identifikohet me sallonet dhe operat madhështore. Kritika është e pakursyer për t’i dhënë ato superlativa që ajo meriton falë përkushtimit të saj dhe falë zërit, qëllimeve, ëndrrës së saj.

Në vendin ku mbretëria ka bashkëjetuar me njerëzit për mijëra vjet, vjen dhe kurorëzohet në Operën Mbretërore të Londrës Ermonela Jaho me performancën e saj.

Është një soprano që do të identifikohet si ajo thjesht është, e mrekullueshme, e thjeshtë, e dashur për publikun, e lakmuar për karrierën e saj dhe njerëzore, njerëzore sa një publik i tërë që adhuron, një kritikë e tërë botërore mundohet të përzgjedhë performancën më të mirë të saj dhe së fundmi një gazetë prestigjoze si ‘’Financial Times’’ shprehet se:

”Brishtësia dhe butësia e zërit janë veçori përcaktuese të performancës së saj. Jaho jep në skenë gjithçka që ajo ka, ku shfaqet sa e ndjeshme, aq edhe e ëmbël, dhe rezultati është një portret i thellë i personazhit të Violetës, që personifikon atë dhe karrierën e saj”

Shkrihet në rolin e saj dhe ngjit një publik të tërë pas vetes. Mimika dhe pozicionimi i trupit të saj të fton, të ngjit dhe të bën ta ndjekësh në çdo interpretim.

Me thjeshtësinë ajo është njerëzore sa vetë Violeta, porse Violeta me këto ndjenja sa njerëzore dhe të thjeshta ndjek fatin e saj të hidhur. Këtë e kuptojnë fare mirë anglezët dhe disa ditë më parë francezët, ku Jaho pati fatin të debutonte. Duket sikur ajo do të identifikohet e thjeshtë si Ermonela dhe profesionale si Jaho.

Brishtësia e Ermonela Jahos vjen nga brenda, nga dashuria e saj për muzikën, porse në brendësi kjo brishtësi ka më shumë shpirt dhe vjen këmbëngulëse, e fortë, guximtare për të tejkaluar të zakonshmen, ëndrrën e saj, për të qenë ai mbinjeriu që dikur Niçe shpreh në filozofinë e tij.

Ajo ka forcën e mirësisë dhe dlirësisë për t’u shkrirë në skenë, ajo e ka vrarë atë njeriun e vogël, mendjemadh vetëmpërvete prej arritjeve, që dëshiron t’i rrotullohen pas vetes, jo ajo ‘’është ngjitur në malin e lartë dhe qesh me të gjitha dramat, të stisura apo të të vërteta’’ qofshin, ajo është lartësuar falë thjeshtësisë, ëndrrës dhe dashurisë për publikun me qëllim që të lartësojë muzikën më të përkryer, magjinë, muzikën klasike. Është ëndërr që duhet ndjekur me ëndrrën e saj për këdo që ka ëndrra të pamata.

Violeta bazohet në fatin e një kurtizaneje që bie në një dashuri ku koha është e gabuar, njerëzit janë të gabuar, ndjenjat janë të stisura, paragjykimet e kohës të forta, mesazhet e veprës madhështore dhe universale për dashurinë dhe njeriun. Vjen në një mesazh të fortë dhe për ditët e sotme kur ndonjëherë ose shumherë njerëzit në dramat e tyre ndodhen në të njëjtat kushte.

Violeta si qenie humane është mishëruar te çdo qenie, dhe e sendërtuar te çdo dashuri e vërtetë që nuk kërkon interes, afera, status, material për të qenë. Është Violeta kundër të gjithëve me ndjenjat e saj, dhe është Ermonela kundrejt gjithë publikut që duhet ta shfaqë këtë me magjinë e saj në interpretim e zë.

Sublimja te Violeta vjen te ndjenja më e përkryer e njeriut, ajo që shpall jetë, te dashuria, marraze pas dashurisë është e aftë të japë dhe jetën, sepse tragjedia dhe dhimbja është aleate e përhershme e dashurisë. Dashuri që shpall dramën e saj në skenë. Drama dhe tragjedia janë elementë të pandashme të skenës dhe roleve. Këtu Ermonela është mbretërore, e pakrahasueshme me zërin e saj unik vibrato.

Të gjitha janë pjesë e karakterit dhe personalitetit të formuar edhe të Ermonela Jahos në skenë, kanarinë e ëmbël, e zjarrtë dhe e fortë, e dielltë për publikun. Ajo është mbretëresha botërore e muzikës klasike, një dimesion ndryshe i ridimesionuar i Maria Kallas. Ajo është një shqiptare që e realizoi qëllimin jetësor dhe po ecën në ëndrrën e saj.