MENU
klinika

Psikologjia ekzistencialiste

Fjodor Dostojevski, legjenda që u rezistoi kohërave

28.01.2019 - 15:59

Jeta e Dostojevskit mund të konsiderohet si një nga romanet e tij. I lindur në një familje fisnike, një i ri rebel i dënuar me burg dhe mandej për të shërbyer si ushtar i thjeshtë, një lojtar i sëmurë dhe arrogant, si dhe një njeri i devotshëm i familjes, autori i ngjan personazheve të tij: të gjitha në kontrast. Kush ishte ai me të vërtetë?

Nëse ka një romancier, në të cilin kushtet e vuajtjes dhe shpengimit kanë kuptim, është padyshim Dostojevski. Me të, temat e së mirës dhe së keqes shtyhen në ekstrem, prandaj çdo roman i tij ngërthen me përshtypjet e fortë çdo lexues. Askush nuk del i padëmtuar nga puna e tij, pavarësisht nga mosha që i afrohet. Jetët tona, personazhet e tij të torturuara do të vazhdojnë të popullojnë imagjinatën dhe ndërgjegjen tonë.

“Është e rrallë të takosh një autor kaq tronditës dhe kaq të tronditur sa Dostojevski. Zbulimin e vërtetë [i njerëzve], ai e bën në galeritë. Ai zbulon se ka tek ata njerëz të thjeshtë një bukuri që ai nuk mund ta shprehë. Në mjerim të plotë moral, ekziston tek secili një dritë. Ajo që është thelbësore tek Dostojevski është se bukuria lind nga vuajtjet.

Për Dostojevskin ekziston një mister që shkenca nuk mund ta zgjidhë. Me shkencën dhe logjikën, ju mund të bëni vetëm milingona”, – shprehet shkrimtari dhe dramaturgu Virgil Tanase.

Çfarë i motivon veprimet njerëzore, në veçanti ato më radikalet? Kjo pyetje, por edhe ajo e kërkimit të absolutes përshkojnë dy romanet më të mëdha të Dostojevskit: “Krim dhe Ndëshkim” dhe “Demonët”.

Literatura e Dostojevskit është filozofike dhe psikologjike. Mendimi i tij është metafizik, pasi shumica e personazheve të autorit përballen me fatin e tyre, lirinë e tyre, Zotin. Dostojevski parashikon Sartrin dhe ekzistencializmin, pasi Raskolnikovi, në “Krim dhe Ndëshkim” kaplohet nga marramendthi i lirisë, duke mos mbajtur përgjegjësi për veprimet e tij. Po ashtu Dostojevski kishte një ndikim të madh në filozofinë e Niçes, veçanërisht në temën e Mbinjeriut.

Dostojevski nuk është si Tolstoi, një zotëri me prona. Një banor i qytetit pa pasuri, një shkrimtar që jeton nga pena e tij, ai krijoi në ankth dhe sëmundje, me energji mbinjerëzore. Edhe pse lavdinë e njohu vetëm vitin e fundit të jetës, pasardhësit e vendosën atë, ndoshta mbi Tolstoin, midis gjenive më të mëdhenj të letërsisë universale. Shprehu ashpër ankthin metafizik, si dhe një besim të zjarrtë në Krisht dhe në popullin rus. Kështu, ai rinovoi romanin dhe krijoi një lëvizje mendimi, e cila vijon të mbetet e gjallë.

 

Autori qe veçanërisht i neveritur nga idetë që gjeti në Shën Petërburg, kur u kthye nga dekada e ekzilit siberian. Gjenerata e re e intelektualëve rusë qe mbërthyer nga teoritë dhe filozofitë europiane.

Materializmi francez, humanizmi gjerman dhe utilitarizmi anglez qenë shkrirë që të treja për një kombinim të çuditshëm rus që u quajt “nihilizëm”.

Rusia e shek. XIX shkundte trupin e saj të stërmadh të rrëzonte feudalizmin dhe ndjente kthetrat e borgjezisë së re që po lindte. Në luftën e fisnikëve për t’u bërë borgjezë dhe të borgjezëve për t’u bërë fisnikë, krijohen tipa dhe karaktere, personazhe të shumta, nga mjaft autorë.

Në romanin “Të fyer e të poshtëruar” inteligjenca e re ruse, e cila bënte luftën e saj për përparim shpirtëror, përbën veçorinë e kësaj letërsie. Në qendër është intelektuali i cili sheh çdo gjë, mendon dhe vuan, nuk fantazon. Realiteti rus i asaj kohe ishte më i gjerë se fantazia. Atje ndodhte gjithçka. Pesha e kohës shtyp plakun dhe ai vdes së bashku me qenin; ndërton dashuritë e çuditshme të Natashës, të gjorën Ana Andrejevna, etj. Në njëfarë mënyre, të gjithë personazhet janë “të fyer e të poshtëruar”. Secili të duket se sikur sapo ka filluar të lëvizë dhe gjithçka mbetet e hapur në fund. Dostojevski merret me të gjithë personazhet dhe me asnjërin. Ai nuk i vë vetes detyrë të nxjerrë në këtë roman, p.sh, një Obllomov, por krijon bazën nga ku lindën Karamazovët, Idioti etj. Petërburgu i shëmbëllente një punishteje të stërmadhe të mbuluar me tymin e vet që të zë dritën. Eshtë vërtet një kohë e vështirë ku nga momenti në moment mund të vdesë një shkrimtar i sëmurë, i fyer, por këmbëngulës. Kritika ka vënë në dukje se romani është shkruar shpejt, se personazhet nuk janë të plota. Natasha s’di vetë se ç’është, dhe kjo gjë thuhet plotësisht në roman. Dostojevski s’ka faj nëse mjedisi rus kishte krijuar personazhe të tillë, madje këtu qëndron e veçanta.

Romani është sa modern aq dhe klasik. Fabula është e pasur, dramatike, e thjeshtë, po aq sa e rrjedhshme. Të duket sikur shikon një film. Të vjen keq për personazhet, por e kupton se s’mund t’i ndërrosh. Ata janë të lindur për të jetuar ashtu.

Në trashëgiminë e shquar të këtij krijuesi botëror hyjnë edhe romanet “Net të bardha”, “Kumarxhiu dhe “I mituri”, novelat “E urta”, “Ëndrra e xhaxhait” si dhe shkrime me vlerë të madhe publicistike.

Jo vetëm në disa nga veprat e tij të para, por edhe në veprat e tjera të mëvonshme, shkrimtari e kuptonte bukurinë si synim të artit për të demaskuar e stigmatizuar plagët e rënda shoqërore, për të treguar mjerimin, varfërinë e fatkeqësitë, që kishin pushtuar jetën. Sado që pikëpamjet e tij patën evoluim të ndjeshëm, në veprat më të mira letrare artistike, ai merrte anën e të munduarve, të të poshtëruarve, të të fyerve, ekspozonte vuajtjet e mjerimin e tyre…

Emri i Dostojevskit është bërë sinonim i thellësisë psikologjike. Për gjenerata, thellësia dhe kontradiktshmëria e heronjve të tij kanë bërë që teoritë sistematike psikologjike të duken të cekët nga krahasimi.

Shumë teoricienë, më së shumti Frojdi, janë përpjekur ta pretendojnë Dostojevskin si paraardhës. Ndjenja e tij e së keqes dhe dashuria e tij për lirinë e kanë bërë Dostojevskin veçanërisht të rëndësishëm për një shekull të luftës botërore, vrasjeve masive dhe totalitarizmit.

Të paktën dy zhanre letrare moderne, romani i kampeve të burgjeve dhe romani dystopian rrjedhin nga shkrimet e tij. Idetë e tij dhe risitë formale ushtruan një ndikim të thellë tek Niçe, Andre Zhid, Kamy, Sartrë, Andre Malro dhe Bulgakov etj. Mbi të gjitha, veprat e tij vazhdojnë t’i tërheqin lexuesit, duke kombinuar ndërlikime me pyetjet përfundimtare rreth besimit, vuajtjes dhe kuptimit të jetës.

 

U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit