MENU
klinika

Çmimet dhe pagesat, në lekë

FMN: Qeveria të ndihmojë për deeuroizimin

29.01.2019 - 10:51

Fondi Monetar Ndërkombëtar i kërkon qeverisë shqiptare të mbështesë Bankën e Shqipërisë në strategjinë e deeuroizimit. Euroizimi i lartë i ekonomisë ngelet një nga arsyet kryesore për vonesën në transmetimin e politikës monetare në ekonomi, ndaj FMN shprehet edhe njëherë në mbështetje të strategjisë për të rritur përdorimin e monedhës vendase.

Ekspertët e FMN-së sugjerojnë që strategjia e deeuroizimit duhet të mbështetet edhe nga qeveria, përmes masave administrative që do të nxisin kuotimin e çmimeve dhe kryerjen e pagesave në lekë për transaksionet e brendshme në ekonomi.

Për sa i takon politikës monetare, FMN mbështet ruajtjen e normave të ulëta të interesit nga Banka e Shqipërisë. Në raportin e fundit, FMN vlerëson se politika monetare ngelet e përshtatshme, derisa inflacioni t’i afrohet objektivit. Megjithatë, FMN ka projeksione disi më konservatore lidhur me kohën e kthimit të inflacionit në objektiv dhe pret që kjo të ndodhë në fund të vitit 2021, ndërkohë që Banka e Shqipërisë ka vendosur si afat mesin e vitit 2020.

FMN vlerëson edhe ndërhyrjen në kursin e këmbimit verën e kaluar, që frenoi mbiçmimin e shpejtë të lekut dhe stabilizoi tregun. Sipas FMN, programi i blerjes së valutës u menaxhua në mënyrë efikase dhe iu komunikua mirë aktorëve të tregut.

FMN thekson edhe njëherë se me zbehjen e rrezikut të dizinflacionit, kursi i lirë i këmbimit mbetet regjimi më i mirë për të zbutur efektin e goditjeve të jashtme në ekonomi. Banka e Shqipërisë i ka ndërprerë ndërhyrjet që në gushtin e vitit të kaluar dhe është shprehur e bindur në ruajtjen e regjimit të lirë të kursit.

FMN vlerëson edhe rezultatet domethënëse në uljen e raportit të kredive me probleme, por megjithatë kujton se niveli prej rreth 13% është ende i lartë, edhe krahasuar me ekonomitë fqinje. Për këtë qëllim, nevojiten ndërhyrje të reja nga Banka e Shqipërisë dhe institucionet e tjera shtetërore.

Drejtimet e sugjeruara nga FMN janë zbatimi i ligjit të ri të falimentit, miratimi i rregulloreve për zgjidhjen jashtë gjyqësore të kreidve me probleme dhe ndërhyrjet për të bërë më efikase punën e përmbaruesve privatë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


FMN: Luftoni euroizimin

Jo më shitje në valutë të huaj

104 mln euro për korrikun

Kredia në euroizim