Me parullat “Gjakova nuk harron”, “S’ka qetësi pa drejtësi” dhe “Dëshmorët nuk negociohen”, qindra qytetarë të Gjakovës, në mëngjesin e sotëm kanë protestuar para kishës ortodokse serbe, duke kundërshtuar kështu vizitën e pelegrinëve serbë, të cilët dyshohen se kanë kryer krime lufte.
Nevzede Luzha nga Gjakova ka dy djemtë e vrarë. Ajo tha se çdoherë del për të kundërshtuar ardhjen e tyre.
“Ju huptë fara atyre. Kanë vra, kanë dhunuar femra. Si të duron nëna. Kom me dal çdoherë. Dy mbreta më kanë shkuar. Edhe prej varrit e kam zgjuar, me mbrojt vendim tim. Zoti i faroftë ata. Shtatë meshkuj janë shkuar prej familjen Luzha. Dy djemtë e mëdhenj, Arben edhe Arbër Luzha m’i kanë vra“, tha ajo.
Ndërsa, Pashke Llesha, e cila ka të vrarë djalin, qeverinë e ka quajtur diktatoriale, duke fajësuar këtë të fundit për këto vizita.
Edhe policia thotë se protestuesit janë të qetë. Kapiten Shpresim Ramadani ka thënë se nuk kanë informatë se nëse do të vijnë pelegrinët serbë. Sipas tij, nëse edhe këta të fundit nuk do të vijnë për vizitë, janë të informuar se protesta do të zgjas deri në orën 12:00.
Në derën e kishës ortodokse protestuesit kanë lënë pankartat “Gjakova nuk harron” dhe “I keni duart me gjak”. /Konica.al/