MENU
klinika

Mbledhja e KLP-së

Hapet gara për prokurorët e SPAK-ut

07.01.2019 - 08:30

Në mbledhjen e parë plenare për këtë vit Këshilli i Lartë i Prokurorisë pritët të hapë garën për prokurorët që do të jenë pjesë e Prokurorisë së Posaçme me një mandat 9-vjeçar.

Pas konstituimit një muaj më parë, Këshilli i Lartë i Prokurorisë do ta nisë vitin 2019 me hapjen e garës për kandidatët për prokuror në Prokurorinë e Posaçme, ose siç quhet ndryshe SPAK.

Mbledhje do te zhvillohet sot ne ambientet e ish-Këshillit të Lartë të Drejtësisë ndërsa zhvillimi i saj pritet të jetë i hapur për mediat.

Mësohet se një nga pikat kryesore të rendit të ditës është hapja e garës për kandidatët për prokuror në prokurorinë e posaçme, të cilët emërohen nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë.

KLP-konica.al

Në ligj janë parashikuar edhe kriteret që duhet të ketë një prokuror i SPAK-ut, i cili nuk caktohet në detyrë pa përmbushur parakushtet e sigurisë dhe kushtet e aftësive profesionale.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë, përpara emërimit, administron, shqyrton dhe vlerëson edhe dokumentacionin e secilit kandidat të ardhur nga Komisioni i Posaçëm i Verifikimit të Pasurisë dhe të Figurës së së Kandidatëve.

Kandidati, i cili merr një vlerësim negativ nga Komisioni i Posaçëm i Verifikimit të Pasurisë dhe të Figurës së Kandidatëve nuk mund të emërohet si prokuror në Prokurorinë e Posaçme.

Vendimi i Këshillit të Lartë të Prokurorisë është i formës së prerë. Prokurorët emërohen në detyrë nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë kanë një mandat nëntë vjeçar.

Mandati pezullohet apo ndërpritet vetëm nëse Inspektori i Lartë i Drejtësisë kërkon procedim disiplinor kundër prokurorit.