MENU
klinika

Realizimi i vështirë

Karta e studentit, operatorët e transportit kërkojnë para

24.01.2019 - 15:51

Karta e Studentit, si një nga tetë kërkesat e listuara gjatë protestave të studentëve, duket se nuk do të jetë e lehtë për t’u mundësuar. Një nga lehtësitë që zakonisht iu njihen mbajtësve të kartës së studentit është ulja e çmimeve në mjetet e transportit publik. Qeveria po përpiqet të mundësojë ulje të çmimit të biletave për studentët, por duket se misioni do të jetë i vështirë.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë organizoi para disa ditësh një takim me operatorët që operojnë në tregun e transporteve. Më konkretisht, në takim morën pjesë përfaqësues nga transporti urban, nga transporti ndërqytetës si dhe nga ai ndërkombëtar.

Gjatë tij, zyrtarë të dikasterit të transporteve, kërkuan nga operatorët që të aplikojnë ulje për studentët, por këta të fundit nuk kanë pranuar. Mësohet se kompanitë e transportit kanë parashtruar problematika me të cilat përballet sektori ku operojnë dhe një ulje e çmimit do t’i penalizonte edhe më tej.

Për këtë arsye, sipërmarrësit e transportit publik kanë qenë të prerë në qëndrimin se një zbritje e çmimit të biletave të udhëtimit, mund të bëhet vetëm nëse ata kompensohen nga shteti.

Realizimi i kërkesave të studentëve ka një faturë të konsiderueshme financiare dhe, për momentin, buxheti nuk duket të jetë i përgatitur për t’u përgjigjur.