Të gjithë njerëzit provojnë ankth në jetë, para apo pas situatave të caktuara. Ankthi karakterizohet nga tipare psikologjike sjellore aq sa dhe fiziologjike.
Mundohuni t’i përgjigjeni këtyre pyetjeve:
A ndjeni paaftësi për t’u qetësuar?
A keni ndjesinë e lodhjes ose lodheni shpejt?
A keni vështirësi në përqëndrim ose bllokim të mendjes?
A irritoheni vazhdimisht?
A ndjeni tension muskulor?
A keni shqetësime të gjumit?
Nëse përgjigja juaj është PO për pjesën më të madhe të këtyre pyetjeve jeni duke shfaqur disa nga shenjat e ankthit të përgjithësuar.
Ai është një shqetësim dhe mërzi e vazhduar e tepruar dhe jo realiste mbi pothuajse të gjitha rrethanat jetësore, që shoqërohet me një ndjenjë mungese kontrolli dhe një vigjilencë të lartë ndaj çdo stimuli të lidhur me situatat kërcënuese.
Cilido nga ne mund të shqetësohet me gjëra më pak të rëndësishme, si të qenit në kohë për një takim, për punë ose në shkollë, për familjen, për të ardhmen për gjithçka, por në rastin e personit me çrregullim të ankthit të përgjithësuar këto shqetësime marrin përmasa të mëdha dhe mund të zgjasin disa orë ose më shumë.
Çrregullimi i ankthit të përgjithësuar mund të jetë shpesh shoqërues i çrregullimeve të tjera si çrregullimet e humorit, çrregullime psikotike apo i problemeve të tjera shëndetësore, po ashtu mund të shoqërohet dhe me probleme ekonomike sociale.
Zakonisht, nëse simptomat vazhdojnë për më shumë se gjashtë muaj është e mundshme që kemi të bëjmë me çrregullim ankthi të përgjithësuar.
Pa trajtim, çrregullim ankthi i përgjithësuar mund të vazhdojë për një jetë, në disa raste më i butë në disa të tjera në paaftësi. Ndërhyrja në kohë është e rëndësishme për të mbrojtur dhe përmirësuar shëndetin tuaj. Flisni me një specialist nëse ndjeni se i keni këto shqetësime.
Më poshtë do të gjeni disa teknika relaksuese në kushtet e shtëpisë për qetësim pas përjetimit të situatave stresuese dhe tensionuese:
Ushtrimet fizike të përditshme në kushte shtëpie na ndihmojnë të metabolizojmë adrenalinën, të ulim reagimet e ankthit dhe të rrisim ndjesinë e të ndjerit mirë.
Frymëmarrja e thellë – është një metodë tejet efektive për të hyrë në një gjendje të relaksuar.
Relaksimi progresiv – është një teknikë e relaksimit të shpejtë e cila arrihet kur ju shtriheni në shpinë dhe mbyllni sytë tuaj dhe si rrjedhojë ndjeni peshën e trupit tuaj, gradualisht tensioni bie dhe trupi e mendja juaj kur të zgjoheni do të jenë të relaksuara.
Vizualizimi imagjinativ – është ajo teknikë e cila redukton stresin dhe ankthin kur e lini imagjinatën tuaj të rrjedhë plotësisht qetë dhe pa ngarkesa. Po ashtu për t’u relaksuar ta udhëhiqni imagjinatën tuaj në objekte që vërtet sjellin relaksim si plazhet dhe deti, fotografitë relaksuese, zërat relaksues dhe muzika relaksuese.
Numërimi – ka shumë kohë që njerëzit e përdorin numërimin për t’u relaksuar dhe për të fjetur. Numëroni qetë me symbyllur nga 1 deri në 100 dhe lëreni që mendja juaj të çlirohet nga ngarkesat dhe ta ndërpresë numërimin kur të vijë relaksimi, dremitja dhe gjumi.
Muzika e këndshme – është një metodë tejet efikase relaksuese. Gjeni një këngë apo melodi relaksuese dhe dëgjojeni duke përdorur njëherësh përfytyrimin për gjërat të cilat flet kënga.
Shëtitjet – Zgjidheni një vend që ju pëlqen dhe qetësohuni bashkë me natyrën që keni rreth vetes. Shëtitjet mund t’i shfrytëzoni edhe për relaksim psiko-fizik përkatësisht për të luajtur apo për t’u marrë me aerobi.
Meditimi – përfshin çdo veprimtari që ndihmon për të mbajtur vëmendjen tuaj në qetësi.
Masazhi – është një mënyrë tjetër e relaksimit, shumë efektive e cila përfshin shtendosjen muskulore përmes ushtrimeve dhe lëvizjeve të gjymtyrëve të caktuara të trupit si qafës, këmbëve, duarve etj.
Gjumi – Përcaktimi i një orari gjumi për çdo natë dhe zgjimi gjithashtu në orar. Krijimi i një atmosfere komode në dhomën e gjumit, një dush të ngrohtë para gjumit, një libër për të shfletuar disa faqe, larg televizorit, larg internetit. Ushtrime para gjumit, numërim mbrapsht nga 50 deri tek 2, 1 deri në 3 herë.
Gjithashtu ndihmon aktivizimi në punët e shtëpisë, në kujdesin për veten, higjienizimin, etj.
Këto dhe shumë teknika të tjera mbi relaksimin janë të vlefshme vetëm nëse aplikohen në çdo situatë, sado e vështirë të jetë ajo…