MENU
klinika

Shkrimtari Sharl Pero

Kolosi i përrallave magjiplotë

12.01.2019 - 11:40

Sharl Pero (Charles Perrault) është autori i përrallave magjepsëse që kanë përkundur fëmijërinë tonë:“Bukuroshja e fjetur”,“Hirushja”,“Gishtoja”, “Mjekërkaltri”,“Zanat”, “Princ Rikardi me Xhufkë”… Kush është ai që nuk e njeh historinë mbresëlënëse të “Bukuroshes së fjetur” apo atë të“Kësulëkuqes”, gjithkush i druhet “Mjekërkaltrit” dhe admiron zgjuarsinë e “Maçokut me çizme” etj. dhe, si rrjedhojë shkrimit të këtyre përrallave të jashtëzakonshme i detyrohemi vetëm Sharl Perosë, i cili përmes fantazisë dhe përshkrimit magjiplotë na mundëson të takojmë princesha, gogolë, djem sypatrembur, kafshë fantastike, por edhe krijesa të tmerrshme.

I magjishmi Sharl Pero, poet, shkrimtar, prozator dhe tregimtar, anëtar kryesor i Akademisë Franceze, lindi në Paris më 12 janar 1628 dhe vdiq në të njëjtin qytet më 16 maj 1703. Shkrimitari i përket lëvizjes Moderne, e cila në atë periudhë u bë e njohur falë grindjes me rrymën e shkrimtarëve të lashtësisë. Autori është përjetësuar me “Përrallat” në prozë, botuar në vitin 1697.

Mbikëqyrës i përgjithshëm i ndërtesave të mbretit, ai përfshihet në fushën e  letërsisë nisur nga e famshmja mosmarrëveshje mes “Antikëve dhe Modernëve”.

Deri atëherë, koncepti letrar mbizotërohej, që prej Rilindjes, nga ndjenja e epërsisë së autorëve të Antikitetit grek dhe latin.

Estetika ideale e klasicizmit u bazua në parimin e imitimit të modeleve, që konsideroheshin të pakapërcyeshme, të letërsisë së Antikitetit. Bota letrare e asaj kohe u trazua nga një grindje mes dy grupe: grindja e antikëve me modernët.

Antikët, përfaqësuar nga penat e mëdha si Bualo (1636-1711), La Bryjer (1645-1696), La Fonten (1621-1695) dhe Rasin (1639-1699), mendonin se krijimtaria ishte përpjekja për të ndjekur modelet e Antikitetit.

Modernët, udhëhequr nga Pero, por në radhët e të cilit mund të gjejmë edhe Fontënelin (1657-1757, nipi i Pier Kornej) lartësonin shkencat, përvojën, artet e reja, etj. Gjithsesi, vepra më e famshme e Sharl Perosë mbetet “Paralele midis Antikëve dhe Modernëve”, publikuar midis viteve 1688 dhe 1697.

 

Në vitin 1671, u zgjodh në një post prestigjioz në Akademinë Franceze, nga e cili u largua me zhurmë nisur nga mosmarrëveshja midis dy rrymave.

Pero përkrahu Modernët, të cilët besonin se, ndërsa zhvillohet qytetërimi, literatura evoluon me të dhe prandaj literatura e antikitetit është në mënyrë të pashmangshme më e ashpër dhe më barbare se sa letërsia moderne. Poema e tij “Epoka i Luigjit të Madh” (1687) krijoi shkrimtarë të tillë modernë si Molier dhe Fransua dë Malherb, që dilnin mbi autorët klasikë të Greqisë dhe Romës. Qëndrimi i Perosë ishte pikë referimi në një revoltë përfundimtare të suksesshme kundër kufijve të traditës mbizotëruese.

Transmetuar kryesisht nga gratë, ushqyer pjesërisht nga imagjinata legjendare medievale, kalorësiake dhe e njerëzishme, apo me tekst narrativ nga rilindja italiane, këto tregime janë krejtësisht të huaja për traditën letrare të antikitetit.

Publikimi i tyre është një pjesë thelbësore në luftën që ai bën në favor të Modernëve. Stili i tyre është i thjeshtë, naiv, gjithsesi pa i munguar finesa. Pena është vigjilente.

“Përrallat e nënës rosë” janë një vepër moderne, pasi lëndën të tyre të parë nuk e huazon nga historitë e trashëguara nga antikiteti, por nga një sfond modern kulturor, domethënë bashkëkohor, popullor dhe gojor.

Për herë të parë, një autor i njohur është frymëzuar nga tradita popullore, këto tregime rrëfeheshin gjatë mbrëmjeve të fshatit ose në bashkimet familjare.

Nga ana tjetër, përrallat e Perosë i përkasin klasicizmit për nga formaliteti, qëllimi i tyre moral (siç e tregon edhe titulli), si dhe për funksionin edukativ që kanë për fëmijët, duke gjetur në fund të çdo përralle një ose dy morale në vargje, të ngjashme me ato të La Fontenit. Pa lënë mënjanë edhe stilin barok nisur nga regjistri i mrekullueshëm, që manifestohet me ndërhyrjen e personazheve dhe objekteve të mbinatyrshme në histori. E mbinatyrshmja u vesh njëlloj fuqi joshëse përrallave, nga prania magjepsëse e gogolëve, zanave, kafshëve të afta të flasin etj.

Nëse përrallat vazhdojnë të lexohen dhe vijojnë t’i mrekullojnë fëmijët edhe në ditët e sotme, nuk ndodh vetëm ngaqë janë shkruar mirë apo se shpalosin fantazinë, por edhe për faktin  se u tregojnë fëmijëve rrugën që duhet të ndjekin, realitetin e jetës, pa kaluar përmes formës racionale.

Ku jetojnë zanat? Në ç’dimensione të jetës sonë “Bukuroshja e fjetur” zgjohet? Shpeshherë nga burime gojore, Pero arrin t’u atribuojë përrallave formën e caktuar.

Përrallat e mrekullueshme të Sharl Perosë nuk i adresohen vetëm audiencës së fëmijëve, përkundrazi ato përçojnë mesazhe kuptimplota edhe për të rriturit.

Të rriturit mund të dallojnë në këto rrëfime referenca të shumta me aktualitetin politik dhe letrar të asaj epoke. Ato trajtojnë çështje të rëndësishme të shoqërisë së regjimit të vjetër, si dhe pyetje më të përgjithshme në lidhje me gjendjen njerëzore: varfëria e prindërve që braktisin fëmijët e tyre gjatë një zie buke, sundimin e feudalëve, ngjitjen e mundshme sociale falë talentit dhe dredhisë “Maçoku me çizme”, adhurimi për vdekjen “Mjekërkaltri” etj.

Pena e Sharl Perosë e shndërroi përrallën në një zhanër të vërtetë letrar. Pasuria e kuptimit të këtyre rrëfimeve ende ngjall lexime të shumëfishta.

Mjafton ta lëmë veten të çlirët, ta shpengojmë imagjinatën tonë në endje, të pranojmë se jemi fli e një magjie…. dhe sakaq do na robërojë magjia e Sharl Perosë.

 

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



Meli Qena: Është peridha më e ndritshme e jetës time

40 vjetori i themelimit të Teatrit ‘Dodona’

Arratisja më e madhe në veriun e vendit

Si e kaluan kufirin 26 veta të familjes Skepi më 1958!

Çfarë i ndodhi doktor Guarametos, i qëlluar nga hetuesi i tij

Misteret e një darke në faqet e një romani magjik të Ismail Kadaresë!

Bashkëshortja e ish-futbollistit rrëfen lidhjen e tyre pasionante

Piloti që u bë portier, historia e Mikel Jankut!

Xhufi: Enver Hoxha nuk donte t’ia linte partinë…

43 vjet nga vdekja, letra e fundit e Mehmet Shehut!