MENU
klinika

Projeksionet e BQE-së

Kur do kemi mirëqenie sa gjysma e Europës?

21.01.2019 - 14:59

Shqipëria ka prodhimin kombëtar për frymë më të ulët në Europë, të rreglluar sipas fuqisë blerëse apo standardit të jetesës në secilin vend. Një projeksion i fundit i Bankës Qendrore Europiane ndërkohë, tregon se, Shqipëria është e destinuar që të qëndrojë e fundit, me një tendencë normale të rritjes ekonomike.

Në skenarin më të mirë, shqiptarët do të arrinin gjysmën e europianëve, pra sa 50% e të ardhurave të tyre për frymë, në vitin 2025. Por, kjo do të ndodhte vetëm në rast se Shqipëria do të regjistronte një normë rritje prej thuajse 7% çdo vit, deri në 2025.

Ky është edhe viti që vlerësohet gjerësisht si ai zgjerimit të radhës së Bashkimit Europian, ç`ka do të thotë se, në rastin më të mirë të mundshëm, në vitin 2025, kur Ballkanit mund t`i hapet dera për në Europë, një shqiptar mesatar do të ketë një standard jetese sa gjysma e një eeuropiani mesatar.

Skenari sërish optimist, por më pranë normave aktuale të rritjes, tregon se ekonomia duhet të zgjerohet pranë 5% në vit, në mënyrë që Shqipëria ta arrijë këtë objektiv brenda 2030-ës. Skenari më pesimist, thotë se do të duhet të presim vitin 2035.

Me normat aktuale të rritjes ekonomike, me siguri do të duhet të kalojë viti 2030 për të arritur një PBB për frymë sa gjysma e europianëve.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN