Këshilltari i presidentit amerikan për sigurinë kombëtare, John Bolton ndodhet për një vizitë në Turqi. Arsyeja e këtij rrugëtimi është të qetësojë nga njëra anë Ankaranë, dhe nga tjetra, të mbrojë kurdët e rrezikuar prej offensives turke pas tërheqjes së Amerikës nga Siria.
Që kur presidenti Donald trump njoftoi se forcat amerikane do të largohen nga vendi i trazuar, kurdët, ish-aleatë të Shteteve të Bashkuara në luftën kundër shtetit islamik, ndihen të kërcënuar nga hija e Turqisë.
Rexhep Tajip Erdogan nuk i ka fshehur asnjëherë qëllimet e tij ndaj tyre, dhe kërkesat e mëhershme të Boltonit për mbrojtjen e kurdëve, i ka dënuar me forcë.
“Mesazhi i përcjellë prej tij nga Izraeli është e pamundur të kapërdihet”, deklaroi kreu i shtetit turk përpara deputeteve të partisë së tij në Ankara.
Këshilltari i Trump ka bërë të ditur se përpara tërheqjes se trupave, Washingtoni kërkon garanci për kurdët që luftojnë në Siri.
“Ne, mendojmë, se turqit nuk duhet të ndërmarrin operacione, të cilat Amerika nuk i mbështet”, ka deklaruar Bolton.
Për këtë arsye, bisedimet e tij në kryeqytetin turk pritet të jenë mjaft të tensionuara. Forcat kurde në Siri, qe luftuan kundër ISIS-it, Ankaraja i sheh si degë e militantëve rebelë kurdë brenda territorit të saj, të cilët i konsideron terroristë.