MENU
klinika

Humbjet zbritën nën 24%

OSHEE arkëtoi 525 mln euro për vitin 2018

16.01.2019 - 09:02

Operatori i Sistemit të Shpërndarjes (OSHEE) e mbylli vitin e kaluar me të ardhura në vlerën e 65.7 miliardë lekëve ose rreth 525 milionë euro. Të ardhurat e kompanisë u rritën me dy miliardë lekë krahasuar me vitin e kaluar, duke tejkaluar edhe xhiron e vitit 2015, që përfaqësonte një rekord për kompaninë.

Sipas administratorit, Adrian Çela, niveli i humbjeve zbriti nën 24%, nga 26.4 që ishte në vitin 2017.

“Nëse bëjmë një krahasim me gjendjen e mëparshme të 4 viteve, ku humbjet ishin 37.8%, rezultati i ditëve të sotme është fal punës së vazhdueshme, plot sakrifica, miremanxhimit dhe vendosmërisë për të futur në shinat e stabilitetit një kompani që ishtë në kolaps, pothuajse e falimentuar. Sot, OSHEE është në gjendje të investojë, të paguajë taksat dhe të shlyejë borxhin, për shkak të reduktimit të humbjeve dhe rritjes së arkëtimeve”, tha Çela.

Sipas tij, rritja e arkëtimeve i ka mundësuar kompanisë të financojë ato projekte në drejtim të përmirësimit të cilësisë së shërbimit.

“Gjithnjë është diskutuar, ndoshta me të drejtë, çështja e mbifaturimit, por sot që flasim kemi tregues në ulje të numrit të ankesave, gati në përgjysmim”, u shpreh administratori i OSHEE-së.

Në vitin 2018, u regjistruan 39,394 ankesa, me një rënie vjetore prej 37%. OSHEE do të vijojë me planin e investimeve për të përmirësuar më tej cilësinë e furnizimit me energji elektrike. Gjatë periudhës 2015-2018, janë investuar afro 33 miliardë lekë, ndërsa plani për 2019-n është në afro 8.5 miliardë lekë.

“Kemi analizuar disa tregues (bazuar mbi standarde të njohuara), sipas të cilëve rezulton se numri i ndërprerjeve, numri i defekteve, kohëzgjatja e mungesës së energjisë, etj, në tërësi kanë njohur përmirësim me 60%”, u shpreh Çela.

Sipas tij, zhvillimi pozitiv në sektorin e turizmit dhe ndikimi i tij në ekonomi sezonin e kaluar, erdhi, ndër të tjera, edhe prej investimeve në rrjetin elektrik të zonave bregdetare.

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN