MENU
klinika

Nermin Vlora Falaci

Përkushtuese e devotshme ndaj kombit

07.01.2019 - 11:33

Vite më parë lindi nga një familje e shquar brez pas brezi, Nermin Vlora, mbesa e denjë e gjyshit të madh, Ismail Qemalit. Ajo ka botuar 25 libra, poezi, romane e saga. 

Që në moshën 12 vjeç ka botuar poezinë e parë. Rreth 20 vjet ka bashkëpunuar në gazeta e revista të Italisë, si dhe në Amerikën e Jugut dhe në SHBA, duke shkruar studime e artikuj në gjuhën italisht, anglisht e shqip. Në Kolumbi, ku ndenji rreth 5 vjet, ka botuar 3 libra mbi qytetërimin parakolumbian – Kibka. Për këtë u emërua prej qeverisë kolumbiane si Person i Urdhrit të Shën Karlit.

Është e para grua e huaj e këtij nderi. Studion imët e me frut paleografinë euro-mesdhetare rreth dhjetë vjet. Për këto studime të shquara, ka folur në shumë akademi e universitete të botës, kudo e mirëpritur dhe e nderuar, si një figurë e shquar e kulturës dhe shkencës. Ajo ka folur në qendra kulture në Paris e Nju Jork, për zbulimet e studimeve të saj.

Këshilli i Ministrave të Italisë dy herë i ka caktuar çmimin për Zhvillimin e Kulturës. Nermin Vlora Falaski është anëtare e tri Akademive të Italisë, si dhe personalitet aktiv i nderuar në disa qendra të shquara kulture të Evropës dhe Amerikës. Flet shqip, italisht, frëngjisht, spanjisht e turqisht, veç njohjes së latinishtes e greqishtes antike.

Shqipëria, Atdheu i saj, i është mirënjohëse për punën e madhe e të frytshme. Këtë le ta shprehim me një gjykim më vete, për veprën e saj të fundit që na ra në dorë: “Etruskja – një gjuhë e gjallë” (e shkruar në italisht). “L’Etrusco lingua viva”.

Sytë në libër të mbeten në ato pika që përbëjnë motivin e botimit të tij. Janë fjalë etruske, gjetur të gdhendura në relieve e masivë gurësh arkeologjikë tepër të lashtë. Kur themi etruskë, tanimë nënkuptojmë pellazgo-ilirë, degë organike e tyre. Po ashtu, kur lexojmë mbishkrime etruske, kemi lexuar simotrat pellazgo-ilire.

Ky libër i ri është mbështetje dinjitoze dhe pohim zëlartë konkret i tërë mendimit në vazhdimësi të dijetarëve tanë e të huaj, mbi origjinën pellazgo-ilire të shqipes e të shqiptarëve. Samiu thoshte me modesti, se “për mbishkrimet frigase apo etruske, deri sot nuk është vërtetuar të kenë lidhje me gjuhën shqipe, megjithëse nga studiues të veçantë janë bërë përpjekje”. Fliste për kohën e tij.

Por studimet këmbëngulëse e objektive bënë të vetën. “Gjuha shqipe, – thotë Shnajderi, – është çelësi i vetëm për të hyrë në sekretet e origjinës së gjuhëve indo-europiane”. Studiuesi grek, J. Thomopullos, nga ana e tij pohon se gjuha shqipe si e folme e gjallë pelazgjike “është bërë këtej e tutje e domosdoshme për shpjegimin e përafërt të shkrimeve” .

Në libër autori përmend studiuesin Luzi, i cili më 1874 shkruante se “Pellazgët… ishin banorët më të lashtë të Italisë sonë”. Po aty, ajo përmend gjykimin e studiuesit Katapano, i cili, duke u mbështetur te Straboni, thekson: “Ilirët përqasen me Dardanët dhe Etruskët, të quajtur më vonë Tirrenë prej grekëve për të kujtuar Tirrenon, birin e Atit (shqip-babai),

ardhur nga Lidia (shqip-Lidhja) në Itali me popullsi të shumtë. Tirrenët thirreshin prej Romanëve, Truski ose Tuski: rrënja është tru (shqip-tru, mend)”.

Te libri i ri (shtuar të 25-ve të autores), ajo jep bashkësira fjalësh pellazgo-etrusko-shqipe, që pohojnë unitetin e rrënjëve e degëve të së njëjtës gjuhë, shtrirë në hapësirën 40 shekullore. Admiron punën e madhe të saj nisur nga deshifrimi, leximi kuptimor dhe vendosja logjike e frazave krahasuar në gjuhën e sotme. Fjalët në fraza doemos kanë ndryshimet e kohës së gjatë; do t’i nënkuptosh apo plotësosh me mendje mungesën e nyjeve e artikulimeve, që u ka ngjitur koha gjer tek ne.

Lexon e bisedon me ato fjalë dhe vë buzën në gaz me fëmijërinë në belbëzim që ka mosha e gjatë prej stërgjyshi e tyre. Etruske: OANIA A NAIE IRE LIRI; shqip (fjalë për fjalë): ania a naje irë liri: kuptimi – anija është për ne guxim dhe liri…

Një sarkofag i bardhë shumë i bukur. Sipër – një grua. Tej kokës, një bust fëmije. Basorelievet tërë figura. Mbishkrimi etrusk: OE LOUR PARTUNUS, LA RISI… shqip: qe lodhur pjellje, la risi… Kuptimi: Qe lodhur nga lindjet, la rininë… Si mbishkrimi të STELA E LEMNOSIT: FL FILLA FL (Fle bija fle) etj.

Siç vihet re, fjalët janë të shkurtra dhe të kujtojnë gjykimin e dijetarëve se fjalët e shkurtra dëshmojnë vjetërsinë e një gjuhe. Po kështu shkrimi nga e djathta në të majtë të kujton alfabetin e herët semit e fenikas të kadmit.

 

Libri është dhënë bukur, me vërtetësi origjinale e me një logjikë shkencore të pakundërshtueshme. Del në kohën e duhur për pohimin sa më të thellë të identitetit tonë kombëtar, duke mbushur dhe boshllëqet e ndjeshme që kanë lënë shkencat tona historike e gjuhësore të politizuara në dëm të Shqipërisë. Vepra është dhe një homazh mirënjohjeje e nderimi për dijetarët e shquar evropianë, që me kohë hodhën tezën e lidhjes së shqipes me pelazgo-ilirët, kur, siç thotë Jokli, shqipja kish mbetur “si një fëmijë i varfër i familjes së gjuhëve indoevropiane”. Laibnici i shquar pohoi se “shqipja është gjuha e ilirëve të lashtë”: “është faza më e re e ilirishtes së lashtë ose, pohonte Kreçmëri, – sipas Majerit “një nga dialektet e lashtë ilirë”. Në veprën “Enigma e zgjidhur” R. D’Anzheli shkruante se “Pelazgët – të Bardhët Primitivë të Antikitetit , – më i hershmi popull i Evropës. Gjuha e tyre është gjuha pelazgo-etrusko-shqipe”.

Janë akoma më të kuptueshme pohimet e atdhetarëve tanë dijetarë, se “gjuha shqipe është gjuha pellazgjike, thoshte A. Kullurioti, gjuhë shumë e lashtë sa i lashtë është dhe kombi që e flet”; se pellazgët “rrojnë në Shqipëri, në po ato troje, me po atë gjuhë e me po ato zakone”, thotë Abdyli’ se “pellazgët janë prindët e shqiptarëve”, pohon Naimi; “më e moçmja, më e vjetra e gjithë gjuhëve që njihen”, vazhdon Vaso Pasha; “mbetur që nga kohët e qëmoçme, të përrallta”, shkruan Samiu, e me radhë.

Studiueses sonë, zonjës Nermin Vlora Falaschi, do t’i shkonte edhe për këtë vepër thënia e Barletit se: “Njeriu në botë ndjek gjurmët e fisit e të gjakut të vet”.

(marrë nga gazeta Kombi- Agim Shehu)

Arratisja më e madhe në veriun e vendit

Si e kaluan kufirin 26 veta të familjes Skepi më 1958!

Çfarë i ndodhi doktor Guarametos, i qëlluar nga hetuesi i tij

Misteret e një darke në faqet e një romani magjik të Ismail Kadaresë!

Bashkëshortja e ish-futbollistit rrëfen lidhjen e tyre pasionante

Piloti që u bë portier, historia e Mikel Jankut!

Xhufi: Enver Hoxha nuk donte t’ia linte partinë…

43 vjet nga vdekja, letra e fundit e Mehmet Shehut!

Pesë ditë pas shkarkimit të Abigeila Voshtinës

Aulon Naçi emërohet drejtor i ri i TKOB