MENU
klinika

Protestat studentore

Politekniku/ Studentët konfliktohen me policinë

09.01.2019 - 11:42

Studentët po protestojnë edhe përgjatë ditës së sotme. Në ditën e tretë të protestës për këtë vit, studentët janë përplasur me rojet e Universitetit Politeknik të Tiranës, por menjëherë më pas ka ndërhyrë edhe policia.

Është tensionuar protesta e studentëve në ditën e tretë për këtë vit. Raportohet se studentët kanë tentuar të nxjerrin jashtë universiteteve bankat dhe karriget, por kanë hasur me rezistencën e rojeve private, të cilët menjëherë më pas kanë njoftuar policinë.

“Studentët na thanë se kishin hyrë në universitetet për të nxjerrë bankat dhe karriget, por kanë hasur me rezistencën e rojeve private. Rojet kanë lajmëruar policinë me pretendimin se studentët i kanë dhunuar. Në Universitetin Politeknik të Tiranës ka patur përplasje verbale mes studentëve dhe rojeve të sigurisë.

Ata akuzojnë dekanin e universitetit që frymëzoi përplasjen e tyre me rojet. Duhet të presin se çfarë duhet të ndodhë nga momenti në moment.

Nuk dihet vetëm nëse do bëhet një bojkot apo bashkë me bojkotin do t’i bashkohen protestës para kryeministrisë. “Studentët po diskutojnë me njëri tjetrin me konsensus nëse do t’i bashkohen protestës apo jo”.

Ashtu siç kishin paralajmëruar, studentët do të protestojnë edhe përgjatë ditës së sotme, duke mos hequr dorë nga kauza e tyre për plotësimin e 8 kërkesave.

Mësohet se mbledhja e studentëve është bërë si fillim nëpër fakultete dhe më pas ata do të marshojnë drejt disa pikave lidhëse të kryeqytetit, për t’u bashkuar me kolegët e tyre.

Edhe ditën e sotme të rinjtë do të qëndrojnë përpara Kryeministrisë, atje ku protestojnë prej disa ditësh, ndërsa janë në pritje të plotësimit të kërkesave të tyre.

Pavarësisht temperaturave të ulëta deri nën zero, studentët duken të vendosur në kauzën e tyre, për plotësimin e kërkesave, që nga ulja e tarifave, deri tek pezullimi i ligjit të Arsimit të Lartë.