Menu

Nga Igli Tola

Politika, aq sa ‘in’ dhe ‘out’ protestës tonë…

08.01.2019 - 17:52

Këto ditë që protesta jonë rifilloi këtë fillim Janari, po aludohet që kasta politike po përpiqet ta ‘rrëmbejë’ atë. Siç edhe kemi dëshmuar deri në Dhjetorin e shkuar, përpjekjet apo persiatjet e tyre për ta kapur për ‘fyti’ atë kanë dështuar.

Shkarkoni Aplikacionin e Konica.al

Kjo pasi prej fillimit s’kemi lejuar që sheshin e protestës ta zënë stoikët e partive, mitingarët e ethshëm që na kanë mbajtur ‘peng’ ëndërrat në këtë ‘zullum’ që sot duam ta ndryshojmë. Mision që do ta arrijmë pa suport partiak, pasi qëllimi i tyre është të (ri)marrin fatin tonë në duar, e ta ‘telendisin’ si mall pa zot, por për fatin e tyre të keq jemi lodhur duke na trajtuar si ‘plastelinë’, të cilës i japin formën e dëshiruar që nga fillim vitet ’90.

Protesta jonë jo vetëm që do të mbijetojë, por do finalizohet me sukses pasi nuk jemi marrë me hallet e opozitës, mospërfilljen dhe zhgënjimin e publikut nga establishmenti aktual dhe as me sikletin ku e kemi futur qeverinë me kërkesat tona.

protesta e studenteve-konica.al

Ne vendosëm gishtin në ‘plagët’ e Arsimit të Lartë, mungesën e kushteve dhe infrastukturës, arsimimin fallco, të drejtat e munguara, tarifat e larta, por mbi të gjitha Universitetin jocilësor, që s’të jep shumë mundësi të punësoshesh pas diplomimit.

Jo vetëm që i bëmë ‘radiografinë’ dhe evidentuam ‘simptomat endemike’ të sistemit, por kemi shprehur angazhimin dhe vullnetin për ta ‘operuar’ urgjentisht atë. Operacion që synon ta ribëjë Arsimin e Lartë në mënyrë thelbësore dhe shteruese. Kjo përmes një paketë të re ligjore, moratoriumi për shtrirjen në kohë të reformës dhe mbi të gjitha me ligje dhe vendime të reja, pa ‘yçkla’. Të gjitha këto në përputhje me interesin më të lartë të studentëve dhe profesorëve, gjë e cila arrihet me dëgjimin dhe përfshirjen tonë në mënyrë aktive në një proçes transparent dhe demokratik.

Ndaj sulmet dhe incidentet sporadike të ndodhura sot, ku dhunohen dyert e zyrave të pedagogëve dhe lëshohen thirrje ofenduese ndaj tyre, s’kanë lidhje me moralin dhe frymën e protestës sonë. Veprime të tilla mund të jenë nxitur nga qarqe politike, apo seperatiste që po tentojnë ta ‘përçajnë’ apo fragmentarizojnë masën studentore.

Gjatë gjithë këtyre ditëve kemi pasur përkrahjen maksimale të profesorëve, atyre të ‘vërtetëve’ që u ‘dhimbset’ realitetit arsimor në vend.

Ndaj, nuk ka arsye pse të sulmojmë përkrahësit dhe bashkëpunëtorët tanë të ardhshëm për Arsimim cilësor. Ky është morali i dhunuesve, me të cilët nuk kemi asnjë lidhje, pasi ky veprim vetëm sa e ‘shpërqëndron’ masën dhe dëmton ‘pastërtinë’ e kauzës sonë.