MENU
klinika

Nga Mentor Nazarko

Pse opozitat në Shqipëri dhe Kosovë janë në beteja të forta 6 muajt e ardhshëm?

29.01.2019 - 22:13

Është krejt e qartë se politika në të dy shtetet shqiptare është në njëlloj trazire: në Shqipëri, opozita pa ndjenjën e saktësisë thotë se do bëjë protestën më të madhe të shekullit para zgjedhjeve vendore; në Kosovë prej kur u kryen votimet një vit e ca më parë kërkohen zgjedhje të parakohshme parlamentare. Mes këtyre dy zhvillimeve ka lidhje të rëndësishme, të cilat qartësohen dhe më shumë nga konteksti kohor, nga proceset ndërkombëtare ku kanë hyrë vendet tona në 6 mujorin e ardhshëm. Le të mundohemi të qartësojmë këto lidhje, nisur pikërisht nga konteksti, nga proceset ndërkombëtare ku ka hyrë Shqipëria dhe Kosova, për të kuptuar më pas: pse ky ekstremizim i aksionit politik opozitar pikërisht tani? A duhet turbullirë, ndarje, konfliktualitet i lartë, apo unitet përballë këtyre proceseve?

Si do faktorizohen shqiptarët në rajon, në Europë dhe botë në këto 6 muaj?

Në 6 muajt e ardhshëm, Shqipëria hyn në provim me Bashkimin Europian, i cili në qershor do të shqyrtojë ecurinë e saj për zgjedhjet, reformën në drejtësi, luftën ndaj krimit, marrëdhëniet rajonale, etj, për të filluar negociatat për statusin e vendit kandidat. Ky përparim në statusin ndërkombëtar të Shqipërisë ka rëndësi gjeopolitike, sepse e vendos vendin tonë në afërsi me Serbinë në integrimin europian, e cila kësisoj nuk do na kushtëzonte dot. Kosova nga ana tjetër, si i është bërë me dije dhe nga një letër e Presidentit amerikan Trump, duhet të përmbyllë suksesshëm negociatat me Serbinë, për të firmosur një marrëveshje paqeje, në Shtëpinë e Bardhë. Këto negociata, të ndërmjetësuara nga Bashkimi Europian, janë shndërruar publikisht në “interes strategjik amerikan”, dhe faktori kohë është themelor, konfirmon letra e përbashkët (e pazakontë) e Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe Departamentit të Shtetit drejtuar kryeministrit Haradinaj. Kjo marrëveshje, cilësia e saj, nuk është çështje strikt e Kosovës, por e mbarë kombit shqiptar, pra dhe e Shqipërisë, sepse statusi ndërkombëtar i Kosovës, respektivisht i shqiptarëve ka potencialin të fuqizohet ndjeshëm.

Pse favorizohen eventualisht Rama dhe Thaçi nga këto procese?

Të dy këto procese, që implikojnë Shqipërinë dhe Kosovën nuk janë pa lidhje me fatin politik të krerëve të shteteve respektive, Ramës dhe Thaçit. Rama përveç se do të ishte kryeministri që në histori do firmoste këtë objektiv historik për vendin tonë, do të mund të kishte rol dhe në përmbylljen e suksesshme të negociatave kosovaro-serbe, për shkak të marrëdhënieve të tij të veçanta me Presidentin Thaçi dhe me atë serb Vuçiç. Thaçi nga ana e tij, do të hynte në histori si presidenti që bëri luftën, themeloi shtetin dhe bëri paqen me Serbinë. Në përfundim të këtij procesi do të jetë në Shtëpinë e Bardhë si protagonist i kësaj paqeje. E pse jo, nëse marrëveshja, do të heqë pengesat për bashkimin kombëtar, ai synon të firmosë personalisht këtë objektiv të krejt shqiptarëve.

Si përmbledhje, për të dy burrështetasit këto 6 muaj janë kritike për integrimin europian dhe ndërkombëtar të Shqipërisë dhe Kosovës, e pse jo për bashkimin kombëtar. Si fakt jo thjesht i kronikës politike në këto 6 muaj: në ceremoninë e firmosjes eventuale të kësaj marrëveshjeje paqeje, përreth Thaçit dhe Vuçiçit do jenë dhe liderët rajonalë, pra dhe Rama, që mund të ketë një rol të posaçëm në të. Për seicilin prej tyre, për të dy, qenia në Shtëpinë e Bardhë, në një ceremoni si kjo, është me rëndësi unike. Pa folur që firmosja e suksesshme e një marrëveshje paqeje Kosovë-Serbi, rrit rajtingun e Shqipërisë si vend konstruktiv në rajon dhe kjo e favorizon çeljen e negociatave me BE-në.

Aksioni opozitar në prag të zgjedhjeve vendore dhe…

Mu për këtë, kundërshtarët e tyre politikë ngjajnë se janë të vendosur t’jua prishin festën dy politikanëve jetëgjatë në pushtet. Në Shqipëri është e konsoliduar sjellja e opozitave që bllokojnë procesin e integrimit që pala në pushtet të mos ketë bilanc pozitiv. Po ashtu, prania e Ramës në Shtëpinë e Bardhë, apo krijimi i perspektivës së bashkimit kombëtar prej veprimtarisë së tij diplomatike, do ta forconte shumë dhe në planin e brendshëm, ndaj opozita nuk është se ka qejf të duartrokasë kundërshtarin e vet. Për Thaçin ka posaçërisht një luftë me kohën. Nëse ai nuk arrin të firmosë marrëveshjen brenda 6 muajve, bëhet më i ekspozuar ndaj veprimit eventual të të ashtuquajturave Dhoma Speciale, që do të gjykojnë në Hagë liderët e UÇK-së. Pra një fije e hollë e ndan suksesin e tij historik nga peripecira eventuale gjyqësore. Në një lexim të tillë, kundërshtarët e tij nëse do të arsyetojnë ngushtë, në mënyrë partiake, do të kishin gjithë interesin që marrëveshja të mos firmosej pikërisht në 6 mujorin e parë. Ndërrimi i institucioneve europiane pas zgjedhjeve brenda Bashkimit, shmangia eventuale e fokusit nga Kosova prej administratës amerikane do ta vështirësonte një marrëveshje mes dy fqinjve-Kosovës dhe Serbisë.

Ngjan se mu për këto dy arsye kemi një gjallërim të aktivitetit të opozitave, ndonëse me pretekste (zgjedhjet vendore në Shqipëri dhe provokimi i atyre parlamentare të parakohshme; miratimi i buxhetit në Kosovë; etj) që duken pa lidhje me proceset në fjalë-marrëveshja me Serbinë dhe çelja e negociatave të Shqipërisë si vend kandidat në BE. Krijimi i një toke të djegur në Shqipëri, vizatimi i Ramës dhe Thaçit si shitës të territorit të Kosovës, apo ndarës të tij po bëhet një sport i përbashkët në politikën e të dy vendeve. Ky vizatim nuk është megjithatë me karakter absolut: shkëmbimi i territoreve, edhe sikur të jetë i keq në parim nuk është i vetmi opsion, madje ngjan se ka humbur terren sipas burimeve të mirëinformuara. Nëse nuk ka shkëmbim territori, pse nuk duhet të bashkëpunojnë krerët e të dy shteteve tona?

Si do duhej vepruar? Bashkimi dhe jo ndarja është fjala kyçe. Duhen ndërmjetës për pajtim

Në një kontekst si ky do duhej vepruar ndryshe, diametralisht ndryshe. Interesi amerikan për Kosovën në këto nivele, është një rast që nuk përsëritet shpesh dhe nuk mund të neglizhohet. Përmbyllja e suksesshme e bisedimeve me Serbinë, që favorizon integrimin europian të Shqipërisë dhe pozitën e saj gjeopolitike, është interes kombëtar para se të jetë i Ramës dhe Thaçit. Është e vërtetë se në vigjilje të këtyre zhvillimeve favorizuese për ta Rama dhe Thaçi janë më të dobët, më të gatshëm të bëjnë koncesione, por ato mund të arrihen dhe me negociata, jo patjetër me destabilizim. Shqipëria me Kosovën duhet të jenë bashkë, që kjo marrëveshje të na japë avantazhet më të mëdha. Një Kosovë e vetmuar pa Shqipërinë është më e dobët përballë Serbisë dhe aq më tepër dy shtete në trazira të brendshme, janë akoma dhe më të dobët dhe jo interesantë ndërkombëtarisht.

Në një situatë si kjo, faktori shqiptar ka nevojë për ndërmjetës, ka nevojë për pajtim.

Presidenti Meta? Ai u rreshtua pak, ndërsa atakoi kandidaturën e Ramës për ministër të jashtëm. Haradinaj? Edhe ai është i joshur nga ideja e sfidimit të Thaçit që si kryetar shteti është në krye të negociatave si e parashikon Kushtetuta e Kosovës. Pra shqiptarëve i mungojnë në dukje ndërmjetësit, që të arrijnë pajtimin mes vedi, në një marrëveshje të madhe që i forcon ata para Serbisë dhe para botës. Nëse do bënin këtë marrëveshje pikërisht tani, duke dhënë e marrë reciprokisht, por brenda këtij 6 mujori, të gjithë palët do dilnin të fituar. Kërkohen ndërmjetësit, që të bashkojnë partitë shqiptare- ky është prioriteti sot