Një nga 8 kërkesat e studentëve të paraqitura në protestë ishte përmirsimi i kushteve të konvikteve.
Duket se qeveria i lëshoi një sinjal të qartë studentëve se kjo kërkesë do të plotësohet ndaj nisi menjëherë ndërhyrjen në godinat e “Qytetit Studenti”.Komisioni i Ekonomisë miratoi aktin normativ për rishpërndarjen e investimeve duke formalizuar financimin.
Ministrja e Ekonomisë dhe Financave Anila Denaj, tha në fjalën e parë në komision se për rikonstruktimin e konvikteve do të jetë në dispozicion buxheti prej 300 milion lekësh.
“Financimin e konvikteve të studentëve në bashkinë Tiranë në masën 300 milion lek, financimin e stadiumit të Kukësit në masën 200 milion lek, financimi i investimit për Kampusin Universitar Durrës në masën 150 milion lek, financimi i projektit të rikonstruksionit të Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit në masën 210 milion lek.”
u shpreh ministrja e re.
Opozita e përqendroi debatin në anulimin brenda muajit janar të kontratave koncesionare me PPP me ofertë të pa kërkuar por kjo kërkesë u hodh poshtë nga mazhoranca.
“Nuk do të heqim dorë nga zhvillimi i investimeve publike dhe nëpërmjet instrumentave të koncesioneve dhe PPP-ve.” tha ish ministri, Arben Ahmetaj.
Ndërkohë dy deputetet e LSI, Kejdi Mehmetaj dhe Floida Kërpaçi kërkuan ndryshimin e buxhetit por për shkak se propozimet e LSI kanë efekt financiar do të duhet që më parë të realizohet një studim mbi ndikimin në buxhet.