MENU
klinika

Rritja e “harmonizuar” e çmimeve, 1.75%

Rritje e lartë, inflacion i ulët

18.01.2019 - 12:20

Megjithë një rritje ekonomike më të lartë, inflacioni në Shqipëri është pranë mesatares së Bashkimit Europian. Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit u rrit me 1.8% për muajin dhjetor. Ky tregues që synon të japë një ecuri krahasuese të çmimeve me vendet e BE-së ka shfaqur një tendencë në rënie gjatë vitit të kaluar.

Për të gjithë vitin 2018, ndryshimi vjetor i indeksit të harmonizuar ishte 1.75%, më poshtë krahasuar me normën zyrtare të inflacionit, që për vitin 2018 ishte rreth 2%.

Një vit më parë Shqipëria kishte rritje të çmimeve ndër më të lartët në Europë, ndërsa aktualisht kjo rritje është praktikisht në të njëjtin nivel me mesataren e Bashkimit Europian. Grupet me peshën kryesore në rritjen e çmimeve brenda indeksit të harmonizuar janë “ushqime dhe pije” dhe “hotele, restorante, kafene”.

Gjatë dhjetorit, rritja vjetore e çmimeve për këta grupe ishte 3.1%.  Grupet e tjera po japin një kontribut relativisht modest në rritjen e çmimeve.

Mbështetur në metodologjinë e përdorur nga Instat, indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit përfshin shpenzimet e bëra brenda territorit të vendit nga familjet shqiptare, si dhe shpenzimet e vizitorëve, ndërsa indeksi i çmimeve të konsumit mbulon vetëm shpenzimet private të familjeve shqiptare të kryera brenda dhe jashtë vendit.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN