Drejtori i ARRSH, Afrim Qendro thotë se të gjitha akset kryesore që menaxhohen nga ky institucion janë të hapura. Qendro sqaron se ka pasur disa akse të bllokuara, por këto janë përgjegjësi e bashkive.
Qendro: Situata momentalisht në të gjitha akset kombëtare është e kalueshme. Gjatë këtyre ditëve që ka pasur reshje dëborë nuk kemi pasur asnjë aks të bllokuar. Kemi pasur vetëm disa segmente kalim të detyrueshëm me zinxhir.
ARRSH është përgjegjëse për përgjegjës për mirëmbajtjen dhe menaxhimin e akseve kryesore, ndërsa akset e tjera i kanë kaluar bashkive, dmth pushtetit lokal sipas zonave. ARRSH nuk mund të kryej shërbimin në këto akse.
Ka pasur rrugë të bllokuara në disa bashki dhe komuna, sidomos në veri, por këto nuk janë zonat tona. Gjithë akset kombëtare që menaxhohen nga ARRSH janë të qarkullueshme. Vetëm disa rrugë janë të kalueshme me zinxhirë.
Qendro ngriti shqetësimin se në Shqipëri nuk ekziston kultura e vendosjes së zinxhirëve apo të gomave dimërore.
Qendro: Unë dua të ngre shqetësimin që realisht në Shqipëri përdorimi i zinxhirëve nënkuptohet si term i huaj. Në asnjë moment, drejtuesit e mjeteve nuk e kuptojnë dhe nuk e zbatojnë që kur thuhet që në këtë aks kalohet me zinxhirë duhet të kalohet me zinxhirë. Në gjithë vendet e botës kalohet me zinxhir, drejtuesit e mjeteve duhet të përdorin zinxhirë.
Ndërsa në lidhje me situatën në Rrugën e Kombit, kreu i ARRSH tha se ky segment menaxhohet nga një njësi pranë ministrisë së Transporteve.
Qendro: Rruga e Kombit menaxhohet nga një njësi pranë ministrisë së Transporteve, jo nga ARRSH. Kështu që unë nuk jam autoriteti përkatës që të flas për këtë rrugë. Ka pasur në dijeninë time, probleme në momente të caktuara, por nga njësia përkatëse në ministrinë e Transporteve.