Në një goditje të mëtejshme ndaj opozitës në Venezuelë, Rusia paralajmëroi Shtetet e Bashkuara kundër ndërhyrjes aty. Presidenti Vladimir Putin nga Rusia telefonoi Maduron, presidentin aktual dhe “theksoi se ndërhyrja e jashtme është një shkelje e rëndë e normave themelore të së drejtës ndërkombëtare”, sipas një deklarate në faqen zyrtare të Kremlinit.
Shtetet e Bashkuara i shpërfillën këto paralajmërime, duke u përpjekur të bindin vende të tjera për të kundërshtuar atë që Sekretari Amerikan i Shtetit, Pompeo e quajti tiranija e Maduro-s.
“Regjimi i tij është moralisht i falimentuar, është ekonomikisht i paaftë dhe është thellësisht i korruptuar. Është jodemokratike”, tha Pompeo në një takim të Organizatës 35-anëtarëshe të Shteteve Amerikane në Uashington.
Shtetet e Bashkuara gjithashtu ofruan 20 milionë dollarë ndihma urgjente për anën e Guaido dhe kërkuan një takim urgjent të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të shtunën për të diskutuar krizën e Venezuelës.
Ç’po ndodh në Venezuelë?
Presidenti i SHBA Donald Trump ka thënë se ai njeh kreun e opozitës venezueliane Juan Guaido si president i përkohshëm.
Njoftimi erdhi minuta pasi 35-vjeçari u deklarua si udhëheqës i ngarkuar në Karakas të mërkurën. Një numër vendesh të Amerikës së Jugut, përfshirë Brazilin, Kolumbinë dhe Perunë, e kanë njohur gjithashtu Guaidón si presidentin legjitim të Venezuelës.
Ky vendim vjen në mes të protestave masive kundër presidentit Nicolás Maduro. Hiperinflacioni, ndërprerjet e energjisë dhe mungesat e artikujve kryesorë kanë nxitur miliona njerëz të largohen nga Venezuela.
Në përgjigje të njohjes së zotit Trump të liderit të opozitës, Maduro shkëputi lidhjet diplomatike me SHBA dhe i dha stafit diplomatik 72 orë për tu larguar nga Venezuela.
Ndërkohë, disa kundër-demonstrime po zhvillohen gjithashtu në mbështetje të presidentit Maduro, por këto raportohen të jenë organizime fare të vogla. Guaidó, i cili është kreu i Asamblesë Kombëtare, u bëri thirrje forcave të armatosura, të cilët deri më tani kanë mbështetur presidentin Maduro, që të mos i binden qeverisë.