MENU
klinika

Histori njerëzore

Sipas austriakëve, devollinjtë apo kolonjarët më të zgjuar?

29.01.2019 - 15:57

Një ish koleg dhe mik i imi i afërt prej disa vitesh, ka punuar si këshilltar dhe ndërmjetës i një firme austriake, e interesuar për studimin e kapaciteteve për prodhimin e energjisë elektrike, veçanërisht në Shqipërinë Jugore dhe Juglindore.

Për disa muaj miku im shoqëroi dy inxhinierë austriakë që realizonin një mision të tillë hidroteknik në Qarkun e Korçës. Inxhinierët ishin 55 dhe 60 vjeç.

Ata ishin specialist mjaft të kualifikuar në fushën e hidroteknikës, por edhe me aftësi psikologjike e përvojë mjaft të pasur në komunikime të shumëllojshme me anëtarë të kulturave të tjera. Pasi përfunduan rilevimin hidroteknik të territorit të Qarkut të Korçës, inxhinierët austriakë po ktheheshin për në aeroportin e Rinasit.

Miku im i ftoi të pinin një kafe në qendër të Pogradecit. Ndërkohë që u futën në bar-kafenë e gjerë të hotelit aty po pinte kafe një nga poetët, shkrimtarët e gazetarët më të shquar në hapësirën shqiptare pas Luftës së Dytë botërore, me origjinë familjare nga Qarku i Korçës.

Si gjithnjë, në rolin e ndërmjetësit miku im i kërkoi shkrimtarit, të cilin e njihte prej shumë vitesh, të pinin kafe me inxhinierët austriakë. Shkrimtari e pranoi ftesën.

Biseda ndërmjet shkrimtarit dhe inxhinierëve austriakë rridhte natyrshëm në nivelin e standarteve më të larta për çështje të zhvillimeve politike, shoqërore, kulturore dhe sidomos letraro-artistike.

Inxhinierët miratonin pa rezerva mendimet mjaft të përparuara të shkrimtarit gati për gjithçka që bisedonin. Ata u mahnitën me njohuritë e gjera e të thella të tij, për letërsinë botërore, e sidomos atë austriake, veçanërisht për krijimtarinë e poetëve ausriakë bashkëkohës, disa prej të cilëve i kishte përkthyer në gjuhën shqipe.

Nga fundi, biseda rrodhi në mënyrë të tillë që shkrimtari shprehu opinionet e tij për banorët e dy krahinave ë Qarkut të Korçës: kolonjarët dhe devollinjtë, që përbëjnë dy grupe nënkulturore mjaft të spikatura jo vetëm për Shqipërinë Juglindore, por edhe në të gjithë hapësirën e kulturës shqiptare në Ballkan.

Në karakterizimet e shkrimtarit për kolonjarët, boshtin kryesor e përbënte zgjuarsia. Ndërkohë në refleksionet e tij për devollinjtë rilevohej dëshira e tyre për të bërë punë të ndryshme dhe ndershmëria.

Në analizën e detajuar e të këndshme të shkrimtarit nuk u tha dhe nuk u nënkuptua asgjë për zgjuarsinë, si profil i rëndësishëm i modelimit nënkulturor të devollinjve. Pasi shkrimtari e përfundoi refleksionin analitik, dy inxhinierët austriakë kryqëuan vështrimet, në shenjë mosmiratimi.

Heshtjen e theu përsëri shkrimtari, i cili jo vetëm nuk i sfumoi përfundimet e tij për profilet kryesore të modelimit nënkulturor të kolonjarëve dhe të devollinjve, por i përforcoi ato edhe më shumë. Njëri nga inxhinierët kundërshtoi me kujdes, por pa kurrëfarë mëdyshje.

– Ndoshta është e kundërta, arsyetoi ai. Shumica e kolonjarëve që ju i quani të zgjuar kishin mbetur me banesat fare modeste të ndëruara në periudhën e regjimit socialist totalitar, që e shpërndante varfërinë gati njësoj për të gjithë.

Madje kolonjarët banojnë në kushte edhe më të këqija, pasi banesat e tyre, pas më shumë se 20 vjetësh janë më të amortizuara se në kohën e socializmit.

Ndërsa shumica dërrmuese e devollinjve, të cilët ju nuk i cilësoni njerëz të zgjuar, kishin ndërtuar vila të mëdha, dy dhe tre katëshe, të mirëmobiluara sipas kërkesave më të përparuara të kohës.

Pse inxhinierët austriakë lexuan zgjuarsinë e devollinjve te vilat moderne që ata kishin ndërtuar pas vitit 1990 deri në vitin 2012?

Përgjithësisht ballkanasit dhe europiano-perëndimorët kanë kuptime të ndryshme për zgjuarsinë e njerëzve.

Ballkanasit në përgjithësi dhe veçanërisht shqiptarët, konsiderojnë të zgjuar njerëzit që ua hedhin të tjerëve, për gjëra të vogla, që i zënë të tjerët në fjalë, që u bëjnë të tjerëve kurthe me lodra fjalësh, që arrijnë të vënë në lojë të tjerët për probleme të vogla të jetës së përditshme, që përpiqen të përfitojnë sa më shumë jo duke punuar, por duke bërë dredhi të shumëllojshme, që përiqen të duken me truke dhe jo duke investuar përpjekje e punë sa më të kualifikuar në një veprimtari të caktuar ekonomike ose shoqërore, politike ose kulturore, shkencore ose artistike, etj.

Ndërsa inxhinierët austriakë, sikurse shumica e anëtarëve të kulturave perëndimore, zgjuarsinë e konceptojnë si aftësi për të projektuar dhe për të realizuar zgjidhjet më vizionare, më racionale, më të qëndrueshme, më dobiprurëse për vete dhe për të tjerët.

 

Z.D

U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit