MENU
klinika

Nga Entela Binjaku

Studentët e Shëndetit Publik në Tiranë vullnetarë në Qendrën Sociale të Kryqit të Kuq Shqiptar

26.01.2019 - 10:49

Në muajin tetor të vitit 2018 u hap Qendra Sociale e Kryqit të Kuq Shqiptar, dega e Tiranës.  Qendra u vjen në ndihmë qytetarëve që janë në vështirësi për shkak të kushteve duke u ofruar në mënyrë të përditshme në 5 ditë të javës drekën falas.

Kjo qendër ofron një vakt në ditë për rreth 100 qytetarë, burra dhe gra me synimin që të krijojë edhe një mjedis të ngrohtë dhe mikpritës, si në një familje të madhe. Koha e ndarë gjatë drekës i ka afruar këta qytetarë edhe pse shumë prej tyre nuk njiheshin më parë me njeri-tjetrin. Vetmia dhe varfëria janë disa nga tiparet e shoqërisë së sotme dhe çdo mjet në ndihmë dhe në përballje me to, është i dobishëm dhe i domosdoshëm.

Ndërgjegjësimi ndaj njerëzve në nevojë ka bërë që disa biznese të tregohen bujarë dhe të ndjeshëm duke treguar edhe humanizmin, por edhe në përmbushje të misionit social që një biznes ka. Një ndër to është  përshembull  një furrë buke dhe pastiçeri në Tiranë që ka siguruar çdo ditë bukën për këtë qendër. Ajo që bie në sy është veçanërisht gadishmëria e të rinjve të shkollave që nuk kanë ngurruar të tregohen solidarë me këta qytetarë të cilët në shumicë kanë edhe moshën e gjyshërve të tyre. Theksimi i një kontributi të tillë do të forconte edhe vlerën që ka për  shoqërinë  edukimi i të rinjve me respektin e traditës së dhënies dhe të bamirësisë, me solidaritetin me më të brishtin dhe me vëmendjen ndaj njerëzve në ditë të vështira.

Siç është bërë e udhës në fundvit apo në ditë festash solidarizimi edhe i njerëzve me profil publik me  njerëzit e moshuar, apo me fëmijët jetimë ndodh më shpesh, edhe pse ata  janë qytetarë  që kanë nevojë çdo ditë për kujdes, ndihmë e vëmendje dhe këtë për vite me radhë. Shpesh sipas parimit “ e mira bëhet në heshtje, çdo gjë tjetër është shfaqje” në Shqipëri nuk kanë munguar raste kur publiku mbingopet me teatër dhe të mirën e prek pak.

Për bashkëkombasit e Nënë Terezës shprehjet e saj nuk janë të panjohura, madje një të tillë qendra e ka shkruar edhe në pjesën qendrore të saj, por duke mbetur tek nobelistja shqiptare Shën Tereza thotë: “kur marr nga rruga një njeri që ka uri, i jap një pjatë gjellë dhe një copë bukë. Por për dikë që ndjehet i përjashtuar, i padëshiruar, që i mungon dashuria, është i frikësuar dhe që ka mbetur mënjanë të tjerëve, kjo varfëri është më e vështirë për tu kapërcyer. E megjithatë edhe më të varfërit mund të jenë të lumtur”.  Mbi këto parime dhe sidomos mbi edukatën që nis  fillimisht në familje e vijon më tej në shkollë, shoqëria mund të mbështesë të ardhmen e saj tek të rinjtë që janë pjesa më e shëndetshme e trupit.

Të premten e datës 18 janar 2019 në mjediset e kësaj qendre zhvilluan një vizitë të rinjtë studentë të Degës së Shendetit publik të Universitetit të Mjekësisë Tiranë të cilët u pritën nga Xhulieta Muçollari drejtuesja e degës së Tiranë së Kryqit të Kuq Shqiptar
dhe  Anila Llaha Koordinatorja  e programit.

Ato u folën të rinjve mbi programet e shoqatës më të vjetër humanitare në Shqipëri, rëndësinë e vullnetarizmit, dobishmërinë e kontributit të të rinjve në përgjithësi e sidomos atyre që po formohen në fushën e shëndetit etj. Studentët rishtarë në këtë mjedis u pritën edhe nga vullnetarë të pranishëm dhe  u angazhuan bashkë me ta në servirjen e drekës si dhe plotësuan formularët e anëtarësimit në programin e rinisë dhe të edukimit humanitar. Mjaft prej studentëve të Universitetit të Mjekësisë në Tiranë, në shumicë nga qytete të ndryshme të vendit, gjatë 10 viteve të fundit i janë bashkuar si vullnetarë Kryqit të Kuq Shqiptar. Ata janë bërë pjesë  kryesisht në programet e dhurimit vullnetar të gjakut, programin e rinisë dhe edukimit humanitar apo dhe të Klubit 25.

Qendra Sociale në fjalë, e ndodhur në njësinë bashkiake nr. 7 të kryeqytetit  ndoshta për disa arsye u hap pikërisht në tetor. 1 tetori përkon me Ditën Ndërkombëtare të të Moshuarve, 4 tetori  i vitit 1921 shënon themelimin e Kryqit të Kuq në Shqipëri, 17 tetori është edhe Dita Botërore Kundër Urisë.  Kryqi i Kuq Shqiptar, është shoqata me e vjeter humanitare ne vend, pas 97 vitesh aktivitet nga nisja, kjo organizatë vazhdon me te njejtin ritëm misionin e saj ne ndihme te njerezve më në nevojë.

Me ligjin e miratuar nga Parlamenti i shqiptar, Kryqi i kuq Shqiptar është organizatë humanitare vullnetare që ushtron veprimtarinë në mënyrë të pavarur. Kryqi i Kuq Shqiptar është pjesë e Lëvizjes Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe që sot ka 189 shoqata në mbarë botën dhe miliona vullnetarë. Aktualisht kjo organizatë vepron në disa programe dhe projekte të cilat mbështeten mbi parimet e humanizmit, paanësisë, neutralitetit, pavarësisë, vullnetarizimit, unitetit, universalitetit.

Në kushtet e shoqërisë shqiptare ku besimi dhe mosbesimi ndaj solidaritetit, ndihmës së sinqertë dhe të vazhueshme qëndrojnë fare pranë, mesazhet që të rinjtë vullnetarë përcjellin janë shpresëdhënëse se ato që përbëjnë shtyllat në vlerat e një shoqërie, mbeten të forta dhe parimet mbi të cilat zhvillohen, të palëvizshme dhe të admirueshme.