Ashtu si kolegët e tyre që po kryejnë rivlerësimin e gjyqtarëve e prokurorëve, edhe komisionerët që do kryejnë vetting-un në Polici do trajtohen me paga të majme. Në vendimin e Qeverisë përcaktohen masa e trajtimit financiar për disa nga organet e vlerësimit të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës dhe të Shërbimit të Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave në Ministrinë e Brendshme.
Ato janë Bordi i Përzgjedhjes së Anëtarëve të Komisionit të Jashtëm të Vlerësimit; Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit; dhe Sekretariati teknik pranë Komisionit të Jashtëm të Vlerësimit.
Shpërblimi për anëtarët e Bordit të Përzgjedhjes do të jetë në masën 150 mijë lekë, dhe do jepet pas përfundimit të procedurës së përzgjedhjes së anëtarëve të Komisionit të Jashtëm të Vlerësimit dhe të anëtarëve të sekretariatit teknik përkatës.
Paga për anëtarët e Komisionit të Jashtëm të Vlerësimit do të jetë 190 mijë lekë në muaj. Paga për anëtarët e sekretariatit teknik të Komisionit të Jashtëm të Vlerësimit do të jetë 110 mijë lekë në muaj.
Për mbulimin e efekteve financiare që rrjedhin nga këto paga, Këshilli i Ministrave ka shtuar në në buxhetin e Ministrisë së Brendshme për vitin 2019 fondin prej 42 milionë lekësh, të cilat përballohen nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit.