MENU
klinika

Albert Çaçi

Traktati i Aquisgranës, shpresë edhe dyshime

26.01.2019 - 10:01

Në qytetin gjerman, Aquisgrana (Achen), vendlindja e Karlit të Madh (jo rastësisht u zgjodh ky qytet), më datë 22 janar u nënshkrua një Traktat i ri franko-gjerman.

Natyrisht që ky është një akt i një rëndësie të veçantë për gjithë të ardhmen e Europës dhe prandaj  shkaktoi shumë reagime, që nga miratimi entuziast (Junkers, Benelux), tek ftohtësia e vendeve të Visengradit, tek heshtja e shumicës së vendeve të Europës lindore dhe atyre balltike, dhe deri tek frika dhe shqetësimi i shprehur nga Italia e qeverisë sovraniste.

Ky traktat  i ri është në fakt një avancim  i atij të Elizesë të vitit 1963, ku De Gaulle dhe Adenauer nënshkruan një traktat paqe dhe bashkëpunimi që i dha fund luftërave dhe armiqësisë gati-100 vjeçare midis dy vendeve, që solli dy luftërat botërore shkatërrimtare.

Pikërisht Merkel dhe Makron po tentojnë ta rilançojnë këtë aks bashkëpunimi dypalësh  në një situatë politike si asnjëherë të komplikuar të Europës.

Natyrisht që Merkel dhe Makron, që ndodhen në vështirësi shumë të mëdha politike në vendet e tyre (Merkel është duke dalë nga skena kurse Makron është  duke u  përballur me  jelekverdhët  dhë është ridimensionuar në sy të francezeve) dhe nuk e kanë peshën, autoritetit dhe staturën e  De Gaulle dhe Adenauerit, që padyshim janë ndoshta nga figurat më të mëdha që ka nxjerrë Europa e shekullit të kaluar.

Traktati i Elizesë në Paris i  vitit 1963 që paqësoi dy vendet në një armiqësi shekullore dhe hodhi bazat e BE, ishte shprehje e një guximi dhe vizioni  të denjë vetëm për nivelin e statistëve të klasit të pare, siç ishin ata.

Por natyrisht shtohen dy pyetje. Së pari, pse në këtë moment dhe së dyti, çfarë synon ky traktat i ri?

Së pari, Europa në prag të zgjedhjeve parlamentare është përfshirë nga një valë e fuqishme e sovranistëve dhe populistëve, që si asnjëherë më pare, rrezikojnë stabilitetin politik të Bashkimit Europian. Prandaj nevojitet konsolidimi më i madh i aksit politik franko-gjerman për të përballuar këtë situatë, që pas fitores së tyre në Itali, Poloni, Hungari, po bëhet jashtëzakonisht e rrezikshme.

Së dyti, këta dy vjet të Trumpit në Shtëpinë e Bardhë dëshmuan se kjo America First  e Trump ndryshon shumë nga aja e 70 viteve të mëparshme,  ku një aleancë vlerash dhe besimi reciprok rriti këtë Europë të shkatërruar nga lufta dhe që çoi në rënien e BS.

Janë tashmë shumë çështje që nuk mund të fshihen më, që nga NATO, tregtia e lirë  midis dy anëve të Atlantikut, marrëveshja me Iranin, politikat energjetike, etj., ku palët kanë qasje të ndryshme. Politika e Trump America First e ka kaluar tashmë hapur në plan të dytë Europën dhe mbështetja nga ana e tij  e sovranistëve, i ka çuar marrëdhëniet në pikën më të ulët që pas Luftës së Dytë. Pra, Europa duhet t’i dalë zot vetes në këtë situatë mjaft të mjegullt.

Së  treti, tashmë që Britania e Madhe po largohet, pas Brexit, ekuilibrat politikë, ekonomikë dhe ushtarakë brenda BE kanë ndryshuar, dhe si Gjemania dhe Franca mendojnë se tashmë është momenti që duke forcuar më tej marrëdhëniet dypalëshe të mund të mbushin boshllëkun.

Britania e Madhe ishte i vetmi vend që mund të kundërbalanconte fuqinë e aksit franko- gjerman. Tashmë në BE nuk ka praktikisht asnjë mundësi praktike që aleanca të tjera dypalëshe ose shumëpalëshe  të mund të konfrontohen me forcën e këtij boshti tashmë dominues absolut.

Por çfarë synon në fakt ky traktat?

Në fushën politike është përcaktuar që dy vendet do të kenë qëndrime të unifikuara në Këshillin e Ministrave dhe Komisionin  Europian, që do të vendoset në  takime paraprake. Të dy vendet do të ndërmarrin reforma politike, duke synuar ndryshime në Traktatin e Lisbonës, sidomos në vendimarrje ku të synohet eleminimi i vetos që pengon shumë operimin franko-gjerman. Po kështu në mbledhje të qeverive, çdo tre muaj do të marrë pjesë një ministër nga dy qeveritë në mënyrë reciproke, për të rritur transparencën midis dy vendeve.

Në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare, dy vendet do të unifikojnë pozicionet.

Gjithashtu dy vendet do të impenjohen për t’i siguruar Gjermanisë një vEnd permanent në Këshillin e Sigurimit të OKB. Këtë pozicion, kryeministri i Italisë Konte e kritikoi ashpër, pasi gjithë 27 vendet e BE po luftonin që një vend në KS të OKB ta kishte BE, dhe tashmë Franca dhe Gjermania ndryshojnë pozicion, pa u konsultuar me të tjerët. Gjthashtu edhe Trump ia ka bërë të qartë se është kundër kësaj ideje.

Në fushën ekonomike, do të synohet një rritje kualitative e bashkëpunimit ekonomik midis dy vendeve. Do të synohet që të krijohet një zonë në të dy anët e kufirit ku kuadri ligjor, do të jetë i unifikuar dhe kompanitë e dy vendeve do të veprojnë si në vendet respective. Gjithashtu  dy vendet do të unifikojnë qëndrimet për ruajtjen e stabilitetit te euros.

Por, ajo që ndoshta është më e rëndësishme është forcimi  i bashkëpunimt ushtarak ndërmjet dy vendeve, që do të jetë baza e një ushtrie europiane, pavarësisht se si Merkel dhe Makron u munduan të siguronin besnikërinë ndaj NATO-s. Në  këtë kuadër, të dy vendet do të kenë pjesëmarrje të përbashkët në operacionet  ndërkombëtare, nën shembullin e pjesëmarrjes së përbashkët në Cad. Gjthashtu e një rëndësie të vecantë është  mundësia e vendimarrjes së përbashkët në përdorimin e  arsenalit bërthamor të Frances(240 testata nukleare). Një vendim shumë i rëndësishëm ishte ai për  krijimin i një industrie armatimi franko-gjermane, jo vetëm në pajisjen e ushtrisë europiane por edhe për të konkurruar dy eksportuesit më të mëdhenj, SHBA dhe Rusinë. Avionët luftarakë, Mirage dhe Rafale si  dhe sistemet e raketave, e luftanijeve  të Francës si dhe tanket Leopard dhe nëndetëset Dolphin të  Gjermanisë, që tani janë produkte të klasit të pare, që konkurrojnë në gjithë botën. Projekte të përbashkëta në këtë fushë mund të jenë jashtëzakonisht efektivë.

Natyrisht që ky traktat nuk u prit me entuziasëm në Washington, sidomos për sa i përket bashkëpunimit ushtarak, por edhe për një drejtim të fortë franko-gjerman të BE me të cilët Trump, hapur është në diskordancë për shumë çështje.

Po kështu shteti, që reagoi mjaft e shqetësur, ishte Italia që tashmë me largimin e Britanisë së Madhe ngelet e vetmuar përballë duetit franko-gjerman, me të cilët kjo qeveri sovraniste është në debat të vazhdueshëm, për shumë çështje, që nga emigracioni dhe deri tek buxheti.

Realisht, edhe në opinionin publik  franko-gjerman, nuk  u reflektua një entuziasëm i madh për këtë traktat. Dy liderat, në vështirësi politike në vendet e tyre nuk po arrijnë të frymëzojnë si më pare, pasi me sa duket probleme më të mëdha, si emigracioni, pasiguria  dhe konflikte të fuqishme sociale, veçanërisht në Francë, po dominojnë skenën politke dhe ekonomike respektive.

Pakënaqësi të veçantë kanë shprehur ambientet ushtarake në Francë, pasi dihet krenaria franceze në pavarësinë e vendimmarrjes ushtarake dhe nuk e kanë të lehtë të pranojnë të ndajnë me gjermanët  vendimmarrjen ushtarake, kur dihet se ushtria franceze aktualisht është shumë superiore se ajo gjermane.

Por megjithatë, ky traktat ishte një përgjigje për mjaft probleme shumë të komplikuara që po karakterizojnë këtë moment mjaft delikat të së ardhmes së Europës, por edhe të një situate ndërkombëtare jashtëzakonisht të rrezikshme.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN