MENU
klinika

"Nëse sulmohen kurdët"

Trump kërcënon Erdogan: Do t’ju shkatërrojmë

14.01.2019 - 10:28

Donald Trump ka paralajmëruar Turqinë të dielën për shkatërrim ekonomike, nëse sulmet ndaj forcave kurde mbas tërheqjes së trupave amerikane nga Siria vazhdojnë, dhe gjithashtu u bën thirrje kurdëve të mos “provokojnë” Ankaranë.

Turqia reagoi me zemërim ndaj deklaratës së amerikanëve, ku u tha se plani i Trumpit për të tërhequr trupat ishte i kushtëzuar nga siguria e luftëtarëve kurdë.

“Do ta shkatërroj ekonomikisht Turqinë nëse godasin kurdët,” tha Trump, duke folur edhe për krijimin e një zone të sigurt prej 20 kilometrash. Trump nuk dha asnjë detaj se kush do ta krijonte këtë zonë, kush do të paguante ose ku do të ishte vendosur.

Turqia u zotua të vazhdojë të luftojë kundër milicisë kurde të mbështetur nga SHBA, të cilën e sheh si një grup terrorist.

Zëdhënësi i presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan Ibrahim Kalin tha në Twitter se nuk kishte “asnjë ndryshim” midis grupit ekstremist të Shtetit Islamik dhe milicisë së Mbrojtjes Popullore të Popullit Kurd (YPG). “Ne do të vazhdojmë të luftojmë kundër të gjithëve”.

Operacionet e udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara kundër IS në Siri janë udhëhequr në terren nga Forcat Demokratike Siriane (SDF), të mbizotëruara nga kurdët.

Ankaraja e sheh këtë aleancë si një grup terrorist të lidhur me Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), e cila ka luftuar vazhdimisht kundër shtetit turk.

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo tha të enjten se tërheqja e plotë e trupave amerikane nga Siria, e njoftuar nga presidenti Donald Trump muajin e shkuar, do të ndodhë pavarësisht kritikave.

“Vendimi i Shteteve të Bashkuara dhe presidentit Trump për të tërhequr trupat nga Siria është marrë. Ne do ta bëjmë këtë”, tha Mike Pompeo. Pompeo i bëri këto deklarata gjatë një konference për shtyp në Kajro, përkrah ministrit të Jashtëm të vendit, Sameh Shoukry.

Trump tha “Rusia, Irani dhe Siria kanë qenë përfituesit më të mëdhenj të politikës amerikane afatgjatë për shkatërrimin e ISIS-it në Siri. Ne gjithashtu përfitojmë, por tani është koha për të sjellë trupat tona në shtëpi”.

Kombet e Bashkuara thanë të premten se rreth 25,000 njerëz kanë vuajtur nga dhuna gjatë gjashtë muajve të fundit, pasi xhihadistët kanë luftuar për të mbrojtur bastionet e tyre./konica.al