MENU
klinika

Përmbledhja ditore e rajonit

Vazhdojnë ndalesat nga Serbia për kosovarët

02.01.2019 - 16:41

Serbi

Të mërkurën në pikën kufitare të Merdarës, autoritetet serbe kanë arrestuar zëvendësministrin e Kulturës Rinisë dhe Sportit, Boban Stankoviç, i cili njëkohësisht është dhe nënkryetar i Partisë Liberale të serbëve të Kosovës.

Këtë lajm e ka konfirmuar kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, në profilin e tij në Facebook, duke shtuar se shteti serb po vazhdon provokimin dhe qasjen jokonstruktive ndaj qytetarëve të Kosovës.

Kosovë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se e veçanta e vitit që po lëmë pas ka qenë krijimi i një momentumi të ri ndërkombëtar për mbylljen e çështjeve të hapura në mes të shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Thaçi ka theksuar se kjo ka ndihmuar edhe në përshpejtimin e arritjes së një konsensusi të brendshëm në Kosovë.

Serbi

Politikani serb, Vuk Jeremiç, ka thënë se Serbia ka mbështetjen e Rusisë, megjithatë, sipas tij, raportet ndërmjet Vladimir Putinit dhe Aleksander Vuçiçit nuk janë aspak të mira shkaku i “servilimit” ndaj Perëndimit.

Jeremiç ka thënë se edhe përkundër kësaj mbështetje të Rusisë, Putini e përçmon Vuçiçin.

Maqedoni

Nga partia opozitare VMRO-DPMNE akuzojnë partinë në pushtet LSDM-në dhe kryeministrin Zoran Zaev për vendosjen e tatimeve të reja të cilat filluan të zbatohen nga një janari 2019.

Nga atje gjithashtu thonë se LSDM ka goditur të varfrit të cilët fatin e kërkojnë nëpër bastore dhe lojërat e fatit.

Kosovë

Viti 2019 do të jetë vit i hapjes së kufirit Kosovë-Shqipëri, por edhe vit i arritjes së marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, me këtë fjali të publikuar në profilin e tij në Facebook, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, u drejtohet qytetarëve të Kosovës në fillim të vitit 2019, duke paralajmëruar një vit me shumë sfida, por ndër më të rëndat, ai përmend arritjen e një marrëveshje historike paqeje me Serbinë.

Për një marrëveshje përfundimtare Kosovë-Serbi, shprehet edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, por nga prizmi i autoriteteve ndërkombëtare, ai ka tensionuar raportet ndërmjet dy vendeve me vendosjen e tarifës 100 për qind për të gjitha prodhimet e Serbisë që hyjnë në Kosovë.

Kosovë

Zhvillimi ekonomik, lufta kundër korrupsionit dhe përparimet në procesin integrues evropian, theksohen si prioritete të politikës së Kosovës për vitin 2019. Krahas këtyre prioriteteve, si qëllim më vete shihet edhe përmbyllja e procesit të bisedimeve me Serbinë.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, kishte thënë se angazhimi i Qeverisë së Kosovës gjatë vitit 2019 do të jetë i fokusuar në prioritet dhe synime të cilat në vitin 2018 nuk kanë arritur të realizohen. /Konica.al/