MENU
klinika

The Sun

“Jetonte me qira, sot Dua Lipa dominon në muzikë!”

18.02.2019 - 08:45

Ylli i muzikës pop e ka botën në dorë pasi është bërë artistja më e nominuar në Brits Awards për të dytin vit radhazi – kështu e nis artikullin The Sun për këngëtaren e famshme shqiptare.

Ajo po ashtu i fitoi dy çmime Grammy të dielën e kaluar, është shpallur artistja më e dëgjuar e vitit 2018, ndërsa të premten u bë me figurë dylli në Madame Tussauds të Londrës.

Por – vazhdon artikulli – mund të themi se derisa Dua ishte duke shkruar dhe realizuar muzikën e saj, 23-vjeçarja jetonte me familjen e saj në një banesë të ngushtë në Londër.

The Sun on Sunday ka kontaktuar me miqtë e këngëtares dhe ish-fqinjët e saj për të biseduar lidhur me rrugëtimin e jashtëzakonshëm të vajzës së refugjatëve nga Kosova drejt famës. Fama e të cilës padyshim se do të rritet pas ceremonisë së Brit Awards që zhvillohet të mërkurën.

Siç thuhet në artikull, shoqja e saj Zana Veseli, të cilën Dua e ka njohur që nga fëmijëria, ka thënë se fama nuk e ka ndryshuar këngëtaren e bukur.

“Dua është personi i njëjtë që ka qenë gjithmonë. Gjatë gjithë jetës ka dashur të bëhet yll i muzikës pop. Është e mrekullueshme që po fiton aq shumë çmime”, citohet të ketë thënë Zana.

Fqinja 55-vjeçare, Ana Antunes, ka treguar se e kishte parë Duan duke u kthyer në banesën tredhomëshe pas ndejave të ndryshme.

Më tej, The Sun tregon për largimin e familjes së Duas nga Kosova në vitin 1992, si pasojë e shtypjes së popullatës shqiptare nga regjimi serb, si edhe për gjyshin e saj, Seit Lipa (që ka vdekur në vitin 1999), i cili ka qenë kreu i Institutit të Historisë, refuzimin e tij për t’i rishkruar librat e historisë dhe largimin nga puna.

“Ishte një periudhë shumë e frikshme. I mbyllën të gjitha shkollat dhe mediat. Secili akademik ishte shënjestër. Njerëzit zhdukeshin. Familja ishte në rrezik. Ata duhej të iknin”, citohet të ketë thënë kompozitori dhe miku i familjes, Florent Boshnjaku.

Dua lindi në vitin 1995, tre vite pasi prindërit e saj kërkuan azil në Mbretërinë e Bashkuar dhe u vendosën në kryeqytetin britanik. Prindërit e saj punonin nëpër kafene dhe bare, ndërsa në mbrëmje, babai i saj shkonte në kurse biznesi, derisa nëna e këngëtares mësonte për udhëtime dhe turizëm.

Kur Dua ishte 11 vjeçe (2006) dhe lufta në Kosovë kishte kohë që kishte mbaruar, familja e saj u kthye në shtëpi. Mirëpo, katër vite më pas, këngëtarja u kthye në Londër për të jetuar me një shoqe. Krahas shkollës së mesme, në fundjavë ajo shkonte në një shkollë teatri.

“Akoma më kujtohet kur më tha se do të kthehej në Londër. Më tha se donte të shkojë në shkollë dhe të punonte si modele. Nuk besoja se mund të qëndronte më shumë se një muaj, ishte akoma një vajzë e vogël…”, ka treguar shoqja e saj, Zana.

Por, Dua ishte e përkushtuar, e talentuar dhe fokus kryesor e kishte muzikën. “Kur shkonim për pushime në Mal të Zi, këndonim me furçat e flokëve. Këndonte aq shumë, saqë më duhej t’i kërkoja të ndalej”, ka thënë më tej shoqja e saj.

Familja e Duas u kthye në Londër në vitin 2012 dhe ajo u vendos me ta në banesën në West Hampstead, e cila ishte shtëpia e tyre deri në mars të vitit të kaluar. Ajo dhe familja e saj tash kanë një shtëpi luksoze në Kilburn të Londrës Veriore.

Ishte viti 2015 kur një producent e kishte dëgjuar në YouTube versionin e Duas të këngës “Cocoa Butter Kisses” nga Chance The Rapper dhe më pas ajo nënshkroi për Warner Music Group.

Dy vite më pas u lansua albumi i saj i parë (“Dua Lipa”) dhe u përfshi në shumë top-lista me këngët e suksesshme, si “Be The One” dhe “New Rules” që u rendit e para. Në vitin e kaluar, ajo u kurorëzua si artistja britanike më e mirë solo dhe zbulimi i vitit në Brit Awards.

Hitet më të vonshme, “One Kiss” me Calvin Harris dhe “IDGAF” janë nominuar për këngën më të mirë britanike dhe videon më të mirë për ceremoninë e të mërkurës (20 shkurt).

Në vitin 2017, ajo kishte përfituar dy milionë funte (2.3 milionë euro), për dallim nga viti 2015 kur kishte përfituar vetëm 11.000 funte (12.570 euro).

Këngët që po shndërrohen në hite, dukja e zjarrtë dhe pamja emblemë prej një zeshkaneje, i kanë ndihmuar që krijojë një bazë të fuqishme të fansave, ndërkohë që është në lidhje me modelin dhe shefin e kuzhinës, 32-vjeçarin Isaac Carew.

Jam shumë krenare për gjithçka që ka arritur pa ndryshuar aspak. Ndihem krenare që e quaj shoqja ime më e mirë”, ka shtuar Zana. /Telegrafi/