Vendet e Bashkimit Europian, si Spanja, Franca, Britania, Gjermania, Suedia dhe Danimarka kanë unifikuar këtë të hënë qëndrimin e tyre me atë të Shteteve të Bashkuara, sa i përket njohjes së Juan Guaidos si president të përkohshëm të Venezuelës, në një lëvizje të koordinuar që vjen pas skadimit të afatit të vendosur Nicolas Maduros për të mbajtur zgjedhje të parakohshme presidenciale.
“Duke qenë se kemi mbërritur në ditën e sotme dhe regjimi i Maduros nuk ka marrë asnjë hap drejt mbajtjes së zgjedhjeve të reja, qeveria e Spanjës shpall se njeh zyrtarisht zotin Guaido, president të Asamblesë së Venezuelës, si president të përkohshëm të Venezuelës”, tha kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez, për reporterët e pranishëm në pallatin “Moncloa” në Madrid.
Sekretari i Jashtëm britanik, Jeremy Hunt shfrytëzoi “Twitter”-in për të thënë:
“Për sa kohë Nicolas Maduro nuk thirri zgjedhjet presidenciale brenda afatit 8-ditor të vendosur nga ne, Britania e Madhe, së bashku me aleatët europianë njohin tashmë zyrtarisht Juan Guaidonsi president të përkohshëm kushtetues, derisa të mbahen zgjedhje të reja të besueshme. Le të shpresojmë që kjo do të na çojë drejt fundit të krizës humanitare atje”.
Shtatë shtete të BE-së i kishin dhënë afat Maduros deri të dielën (dje) për të caktuar zgjedhje të reja, e nëse nuk e bënte këtë do të njihnin 35-vjeçarin Guaido si udhëheqësin e përkohshëm të vendit.
Sanchez, nga ana e tij tha se, Spanja mbetet e angazhuar për të mbrojtur të drejtat e popullit venezuelas, duke shtuar se ekzistonin shumë lidhje të ngushta mes vendit të tij dhe Amerikës Latine.
Ndërkohë, ministri i Jashtëm francez, Jean-Yves Le Drian tha për radion “France Inter” se, Guaido ka “kapacitetet dhe ligjshmërinë” për të organizuar zgjedhje presidenciale.