MENU
klinika

Profil

Boris Jelcin, ‘babai i demokracisë ruse’

17.02.2019 - 13:08

Boris Jelcin, ka lindur më 1 shkurt të vitit 1931 në Butka, në zonën Sverdlovsk, Rusi dhe vdiq më 23 prill të vitit 2007 në Moskë. Ai ishte një ndër politikanët më të njohur rusë. Jelcin qe presidenti i parë i Federatës së Rusisë (1991-1999) pas shkrirjes së bllokut komunist, e shpesh konsiderohet “babai i demokracisë ruse”.

Fëmijëria dhe arsimimi

Ai ishte fëmija më i madh nga tre fëmijët e Klaudia Vassilievna dhe Nikolai Ignatieviç Jelcin, një njeri që besonte në arsim dhe edukim në mënyrë të verbër.Ai ka kaluar një fëmijëri të vështirë. Në vitin 1935, i ati i Boris Jelcinit e zhvendos familjen në Beriozniki dhe bëhet punëtor në kantierin e ndërtimit të një kompleksi industrial. Në atë kohë familja përballet me një jetesë jo shumë të përshtatshme, madje të vështirë duke fjetur në të vetmen dhomë që kishte në një barakë prej druri.

Që fëmijë, Boris Jelcin ishte “ushqyer” me një energji që i vlejti atij për t’u zgjedhur komandant klase gjatë gjithë studimeve. Në këtë plan shkollor, ai nuk has kurrë vështirësi. Gjatë luftës, ai vjedh dy granata në një depo ushtarake dhe ndërkohë që ato shpërthejnë ai humb dy gishta të dorës së majtë.

Jecin ishte i apasionuar pas shumë sporteve, por mbi të gjithë pas volejbollit. Ai e frekuentoi shumë këtë sport dhe u bë kampion në nivel rajonal. Kur ishte në periudhën e adoleshencës ai ishte shumë i dhënë pas anijeve. Bëri një kërkesë për të hyrë në seksionin e ndërtimit të Institutit Politeknik të Oralit, në Sverdlovsk. Paralelisht me studimet, ai u anëtarësua në ekipin e divizionit të parë të volejbollit të qytetit.

Pas kalimit të kësaj periudhe, ai kreu studimet e mesme në Berezniki dhe më pas në Institutin politeknik të Uralit në Sverdlovsk. Për të marrë diplomën e inxhinierit, Boris Jelcin realizoi një punim për televizionet. Ai i kushtoi një vit mësimit praktik të 12 specialiteteve të ndërtimit.

Ndërkohë, ai bëhet anëtar i Partisë Komuniste në vitin 1961.

Anëtar i Partisë Komuniste 

Ai u anëtarësua në vitin 1961 në Partinë Komuniste të Bashkimit Sovjetik dhe bëhet në vitin 1969 funksionar i partisë. Ai drejtoi duke filluar nga viti 1977 seksionin e partisë së zonës Sverdlovsk. Nga 24 dhjetori i vitit 1985 në vitin 1987, ai drejton seksionin e partisë së Moskës. Ai dha dorëheqjen nga funksionet e tij sepse kishte kritikuar Mikhail Gorbaçov për ngadalësinë e reformave të tij dhe bashkëshorten e tij Raisa, se përfshihej në çështjet e shtetit. Në mars të vitit 1989, ai zgjidhet deputet në Kongresin e deputetëve të popullit të Bashkimit Sovjetik. Në maj të vitit 1990 ai emërohet president i Republikës Socialiste Federative Sovjetike (RSFS) të Rusisë. Në qershor të vitit 1990, ai deklaron sovranitetin e RSFS të Rusisë dhe jep dorëheqjen nga partia komuniste. Gjatë zgjedhjeve presidenciale ruse të 12 qershorit të vitit 1991, ai u zgjodh me 57% të votave në krye të shtetit rus. Në vitin 1963, Boris Jelcin emërohet kryeinxhinier ndërtimesh i një kompleksi pallatesh. Gjatë kohës që ai filloi të kishte një karrierë profesionale të rëndësishme, jeta personale ecte po në të njëjtin drejtim.

President i Rusisë 

Gjatë puçit të Moskës drejtuar kundër Mikhail Gorbaçovit, i cili filloi më 19 gusht të vitit 1991, Jelcin shkoi në Shtëpinë e Bardhë të Rusisë për t’iu kundërvënë puçistëve. Në shtetet e huaj ai përfitoi pothuajse menjëherë nga mbështetja amerikane dhe britanike.

Përveç kësaj më 21 gusht, pjesa më e madhe e puçistëve ishin në arrati dhe Mikhail Gorbaçov, i liruar nga burgu i tij në Krime, mundi të kthehej sërish në Moskë. Gorbaçov ishte i pafuqishëm të pengonte shpërbërjen e ish-BS, që pushoi së ekzistuari zyrtarisht më 25 dhjetor të vitit 1991. Jelcin, i cili drejtonte Federatën e Rusisë, gjendet në krye të shtetit të ri.

Është pikërisht nën presidencën e tij që filloi në vitin 1994 lufta e parë të Çeçenisë. Por lufta do të shfaqte një dështim ushtarak dhe humanitar për Rusinë që do të ndeshte një rezistencë të ashpër të luftëtarëve të kombeve të ndryshme, duke përdorur armë të rënda shumë moderne.

Personaliteti dhe gjendja shëndetësore e Boris Jelcinit janë bërë objekt i një sërë polemikash: ai u akuzua si përdorues i madh i alkoolit, gjë që i çoi disa njerëz të dyshonin në kapacitetet e tij për të përmbushur funksionet. I prekur nga sëmundje kardiake, Boris Jelcin pëson shumë atakë kardiakë, kryesisht në vitet 1995 dhe 1996, gjë që nuk e pengoi aspak të rizgjidhej sërish në këtë post përballë kandidates komuniste. Në vitet 1998 dhe 1999, përballë një situate krize ekonomike, Jelcini i ndërroi shpesh kryeministrat: Viktor Çernomërdin, Serguei Kirienko, Ievgeni Primakov, Sergei Stepaçine dhe Vladimir Putin kanë qëndruar më pak se dy vjet në krye të qeverisë ruse. Boris Jelcin qëndroi në postin e presidentit të Rusisë deri më 31 dhjetor të vitit 1999, datë në të cilën dha dorëheqjen për arsye shëndetësore, i bindur nga vajza e tij dhe këshilltarja Tatjana Diaçenko. Pasardhësi i tij u bë Vladimir Putin.

Vdekja e ish-presidentit Boris Jelcin 

Ish-presidenti rus Boris Jelcin vdiq më 23 prill të vitit 2007, në moshën 76-vjeçare, bëri të ditur zëdhënësi i Kremlinit, por pa përcaktuar shkaqet e vdekjes. Megjithatë sipas burimeve mjekësore, vdekja e tij u shkaktua si pasojë e një ataku kardiak.

Rëndësia e tij si lider i Rusisë 

Boris Jelcin ka realizuar të pamundurën: ai ka çuar vendin në liri, theksoi Anatoli Çubais, një ndër liberalët e fundit të epokës Jelcin. Ai ishte personifikimi i shpërbërjes së ish-BS edhe pse në të vërtetë nuk ishte ai shkaku. Vendi i tij në historinë e vendit ishte i rëndësishëm për vetë kohën dhe te rejat që solli ai gjatë periudhës që ishte në krye të shtetit. Edhe për demokratët rusë, Jelcin “groposësi i komunizmit”, ishte një personazh multidimensional. Me gjithë temperamentin e tij autoritar, të ashpër, me gjithë faktin se qe rritur sipas rregullave komunistë të sistemit totalitar, Jelcin kishte kuptuar se ishte e rëndësishme për Rusinë të shkonte drejt demokracisë.

Si cilësohet Boris Jelcin

Vladimir Putin: Presidenti Boris Jelcin ka hapur një erë të re. Ai ka hyrë për gjithmonë në historinë e vendit dhe të mbarë botës. Një Rusi demokratike lindi, një shtet i lirë u hap në botë, një shtet në të cilin pushteti i përket realisht popullit.

Presidenti amerikan George Bush, e cilësoi Boris Jelcinin “figurë historike”, duke nënvizuar faktin se ai i kishte shërbyer vendit të tij në një periudhë të ndryshimit themelor.  Nga ana e tij kryeministri britanik, Tony Blair, pohoi që Boris Jelcin ishte një burrë i veçantë, i cili ka luajtur një rol vital, në një moment thelbësor. Për presidentin francez Jacques Chirac, Boris Jelcin është njeriu që ka futur Rusinë në rrugën e demokracisë.

Për një farë kohe u duk se trashëgimia e Boris Jelcinit si babai i demokracisë ruse u trondit nga rënia e tij politike dhe shëndetsore. Por kur ai u largua nga detyra, opinioni për të u zbut.

Reputacioni i tij mund të ketë mbetur ende i dëmtuar për shkak të gafave të viteve të tij të fundit në detyrë, por ajo që mbetet ende e gjallë në kujtesën e njerëzve është Boris Jelcini i hipur në tank, duke sfiduar komunistët dhe ndihmuar Rusinë të flakte tej të kaluarën sovjetike.