MENU
klinika

Almanak

Çfarë ka ndodhur më 7 shkurt?

07.02.2019 - 08:24

1569 – Mbreti Filip II formon inkuizicionin në Amerikën e Jugut. Motive të ndryshme janë propozuar për këtë vendim si, shtimi i kontrollit mbi të konvertuarit e rinj, rritja e autoritetit mbretëror; përfitimet nga konfiskimi i pasurive së heretikëve të dënuar. Inkuzicioni ishte nën kontrollin e drejtpërdrejtë të monarkisë spanjolle, dhe u shfuqizua përfundimisht më 1834, ndërsa fuqia dhe ndikimi spanjoll ishte në rënie. Philip II ishte mbreti i Spanjës nga 1556 dhe i Portugalisë nga 1581. Nga 1554 ai ishte mbreti i Napolit dhe Siçilisë, si dhe Duka i Milanos. Gjatë martesës së tij me Mbretëreshën Mary I, ai ishte edhe Mbret i Anglisë dhe Irlandës.

1639 – Akademia Franceze (Academie Francaise) fillon punën për Fjalorin i gjuhës franceze, vetëm 4 vjet pas themelimit të saj si i vetmi institucion akademik për ruajtjen e gjuhës. Akademia Franceze ishte krijuar më 1635 nga Kardinali Richelieu (kryeministër), së bashku me një grup intelektualësh gjatë një seri takimesh në Hotel de Rambuje. Akademia u mbyll në vitin 1793 gjatë Revolucionit Francez; u rihap pas 10 vjetësh (1803) nga Napoleon Bonaparti; dhe sot është institucioni më i vjetër akademik në ekzistence në Francë.

1868 – Ne Mizuri, lindi Laura Elizabeth Ingalls Wilder, shkrimtare amerikane, e njohur veçanërisht për serinë e romaneve për fëmijë “Little House on the Prairie” bazuar në fëmijërinë e saj gjatë mesit te shekullit të XIX në perëndimin amerikan. Në këto romane bazohet edhe seriali i njohur televiziv “Little House on the Prairie”. Librat mbajnë emrin e shkrimtares Laura Ingalls Wilder (vdiq 1952) por nga kritika është pranuar gjerësisht, se ato janë shkruar me nxitjen dhe kujdesin redaktues të vajzës së saj, Rose Wilder Lane. Dhe Rose është e njohur për shqiptarët. Gjatë luftës së parë botërore, Rose Wilder Lane shërbeu si infermiere e Kryqit të Kuq amerikan në Shqipëri.

Ky duket se ishte edhe takimi i saj i parë me banorët dhe natyrën e këtyre trojeve. “Kalifornia, Mizuri dhe Ballkani janë vendet e mia”, do të thoshte ajo më pas. Në vitin 1921, Rose, vizitoi luginën e Shalës në Shqipërinë veriore së bashku me disa punonjës të Kryqit të Kuq me shpresë për të krijuar një rrjet shkollash në këtë rajon të thellë malor. Atje, Rose birësoi edhe 10-vjeçarin Rexh Meta, banor i atyre anëve, i cili së bashku me të atin shoqëronte vizitorët amerikanë në këtë udhëtim. Rexha do të rritej e shkollohej nën kujdesin e amerikanes së njohur. Kur Rexh Meta përfundoi shkollën teknike të Fulzit në Tiranë më 1927, Rose Wilder Lane, e dërgoi Rexhën për studime në Universitetin e Kembrixhit në Angli. Pas diplomimit, Rexha kthehet në Shqipëri, ku martohet dhe bëhet me fëmijë, vajzë që ia vuri emrin, Bora Rose. Kur filloi lufta e Dytë botërore, lidhjet e Rose Wilder Lane me djalin e saj u ndërprenë. Në vitin 1945, kur vendi dukej se çfarë drejtimi po merrte, Rose i kërkoi ish-presidentit Herbert Hoover, që t’a ndihmonte për të tërhequr Rexhën dhe familjen e tij nga Shqipëria. Por përpjekjet e saj nuk patën sukses. Rose Wilder Lane (1886 – 1968) la pas edhe shume libra, mes të cilëve “Peaks of Shala” rreth përvojës dhe vëzhgimeve të saj etno-kulturore në Shqipëri.